Botë
Talebanët rimarrin pushtetin në Afganistan, kaos në Kabul, mijra qytetarë largohen nga vendi
16.08.2021 13:04
Situata në Kabul, pas hyrjes së trupave talebane, është tejet kritike....

Situata në Kabul, pas hyrjes së trupave talebane, është tejet kritike. Qytetarët afganë edhe ndërkombëtarët që gjendeshin atje, janë dyndur në aeroport për t’u larguar sa më parë nga vendi. Ato që bënë xhiron e rrjetit, janë pamjet ku qytetarët tentonin të hipnin në avion pa pritur radhën. Shokuese janë edhe pamjet që vijnë nga një avion, i cili është ngritur nga Kabuli dhe ka nisur të fluturojë. Prej tij bie një qytetar, por nuk dihet se si ka ndodhur ngjarja. Pak më herët u raportua edhe për tre viktima në aeroport, një ngjarje sërish enigmatike. Trupat amerikane përgjegjëse për aeroportin, u detyruan të qëllonin me armë në ajër si një formë paralajmërimi, për të parandaluar turmën që vraponte drejt avionëve, në një kohë që përparësi po u jepet evakuimit të stafit të ambasadave.
Talebanët thonë se shumë shpejt do të shpallin Emiratin Islamik të Afganistanit. Ditët e fundit, talebanët morrën nën kontroll disa qytete të mëdha, ndërsa të dielën, edhe Kabulin. Presidenti afgan Ashraf Ghani, së bashku me nënpresidentin dhe zyrtarë të tjerë të lartë, u larguan nga vendi, duke u krijuar terrenin kryengritësve talebanë për të rimarrë pushtetin në Afganistan, 20 vite pasi një koalicion ushtarak i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara e rrëzoi grupin nga pushteti.
Talebanët festuan fitoren në pallatin presidencial, në zyrën e Ashraf Ghani. Një nga liderët kryesorë të talebanëve, Abdul Ghani Baradar u shfaq në një video, duke uruar "popullin e Afganistanit" për "fitoren" e tyre. Ai tha se talebanët do të sigurojnë interesat e popullsisë dhe do të ofrojnë "mbrojtje" në kryeqytet. Baradar, përmendet gjerësisht në mediat afgane, si një kandidat i mundshëm për rolin presidencial në Emiratet Islame të Afganistanit.
Baradar luftoi së bashku me Mullah Omar kundër Aleancës, pas vitit 2001. Ai u arrestua në Pakistan në vitin 2010 dhe u tranferua në Guantanamo, prej nga u lirua në vitin 2018, në një marrëveshje mes SHBA-së dhe talebanëve. Ai kishte një rol udhëheqës në negociatat me SHBA-të madje u takua edhe me ish -sekretarin amerikan të mbrojtjes Mike Pompeo, në Katar, në nëntor 2020.
MIGENA GORENCA
