Botë

Afganistan, situatë kaotike, mijra njerëz largohen

17.08.2021 12:20

Afganistani është në kontrollin e plotë të talebanëve....

Afganistani është në kontrollin e plotë të talebanëve. Në aeroportin e Kabulit vazhdojnë  skenat kaotike, teksa  mijra njerëz shtyjnë njëri tjetrin në përpjekje për të hipur në avionët e stërmbushur. Disa pamje tregojnë 3 njerëz që bien nga avionët, 5 të tjerë kanë humbur jetën në përpjekjet e dhunshme për t’u futur brenda tyre. Forcat amerikane u detyruan të mbyllin aeroportin për një kohë, por ai u rihap sërisht mëngjesin e së martës. Një avion i forcave amerikane Globemaster III, evakuuoi nga Kabuli rreth 640 afganë, numri më i madh i njerëzve që ka mbajtur ndonjëherë në bordin e tij një C-17.
 
Këshilli i Sigurisë: Nuk mund t’i braktisim Afganët, pranoni refugjatë
 
Situata e krijuar, ka detyruar Këshillin e Sigurisë në OKB të mbajë një takim emergjent. Shkelja e të drejtave të njeriut, sidomos e grave, dhe cështja e refugjatëve, janë shqetësimet kryesore. 
 
“U bëj thirrje talebanëve dhe të gjitha palëve të respektojnë dhe mbrojnë të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe të drejtat dhe liritë e të gjithë personave. Jam i shqetësuar në mënyrë të veçantë për shkeljen e të drejtave nga grave. Ne nuk mund t’i braktisim afganët në këto moment. I bëj thirrje Këshillit që të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion, të ushtrojnë presion për të shtypur kërcënimin terrorist në Afganistan dhe kërkoj nga vendet që të pranojnë refugjatët afganë.”, tha Antonio Guterres, sekretar i përgjithshëm i OKB-së.
 
Tërheqja nga Afganistani, Biden: Dështoi qeveria, Ghani të negocionte
 
Presidenti Joe Biden, mbrojti vendimin për tërheqjen e trupave nga Afganistani dhe fajin për situatën, ia hodhi qeverisë afgane.
 
“Ne u dhamë çdo shans për të përcaktuar të ardhmen e tyre. Por nuk mund t'u siguronim edhe vullnetin për të luftuar për atë të ardhme. Nëse Afganistani nuk është në gjendje tu bëjë rezistencë të vërtetë të talebanëve tani, nuk ka asnjë shans që një vit apo pesë vjet më shumë ose 20 vjet më shumë me SHBA-në  në terren do të kishin bërë ndonjë ndryshim.”, tha Joe Biden, presidenti i SHBA-së.
 
Talibanët: Qeveri gjithpërfshirëse, amnisti për zyrtarët shtetërorë, të drejta për gratë
 
SHBA e ka bërë të qartë se nuk do të njohë një qeveri të udhëhequr nga talebanët nëse nuk respekton të drejtat e grave dhe vajzave dhe nuk përzë terroristët. Në një intervistë për CNN, një përfaqësues i lartë i talebanëve premton një qeverisje ndryshe.
 
“Prioritetet tona janë ruajtja e sigurisë dhe në ditët në vijim do të krijojmë një qeveri të re,  një qeveri gjithëpërfshirëse Islamike. Ata që do të dorëzojnë armët dhe do t’i bashkohen forcave tona, do të sigurojnë amnistinë, jetët dhe pronat e tyre do të jenë të sigurta. Emrat e tyre do të shënohen në regjistrat tanë, do të jenë një lloj force rezervë, kur të vijë koha, do t’i thërrasim.Vajzat mund të vijojnë arsimimin nga shkolla fillore në të lartë. Diplomatët e huaj mund të vijojnë punën. Ambasadat duhet të funksionojnë. Ne jemi të përkushtuar të garantojmë një ambient të sigurt për ta. Jo vetëm për diplomatët dhe ambasadat, por edhe OJQ-të e huaja.”, tha Sohail Shaheen, zëdhënës i talebanëve.
 
Teksa shumë vende kanë mbyllur përfaqësitë e tyre në Kabul, Rusia, Kina dhe Pakistani nuk kanë ndërrmend të evakuojnë stafin. Ambasadori rus Dimitry Zhirnov tha se do të zhvillojë bisedime me përfaqësuesit e talibanëve për  sigurisë së qytetarëve rusë dhe personelin e Ambasadës. Edhe Kina është e gatëshme  të bashkëpunojë me qeverinë e re. Sa u përket të drejtave të grave, një ndryshim u pa që në ditën e parë të pushtetit taleban, ku të gjitha spikeret femra u “zhdukën” nga ekrani. Të gjitha televizionet kanë ndaluar muzikën dhe emisonet argëtuese, televizioni shtetëror ka shtuar programet fetare. Facebook ndërkohë ka ndaluar nga platformat e tij të gjitha lajmet që kanë të bëjnë me talebanët të cilët i konsideron - organizatë terroriste
 
MIGENA GORENCA