Botë

Kabul, situatë dramatike në Aeroportin Kombëtar

20.08.2021 12:31

Vazhdon kaosi përreth aeroportit të Kabulit....

Vazhdon kaosi përreth aeroportit të Kabulit. Mijëra vetë dynden në për të siguruar një vend në avionët e evakuimit. Talebanët kanë shtuar kontrollin përreth aeroportit dhe hyrjeve të tij, që mbahen të kontrolluara nga SHBA-të dhe vendet e tjera. Edhe në qytet janë vendosur postblloqe. Vazhdimisht dëgjohen të shtëna në ajër. Është hedhur edhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat e dëshpëruara që përpiqen të ikin. Afganët e dëshpëruar i hedhin fëmijët përtej gardhit të aeroportit, në mënyrë që të paktën ata të jenë në siguri. Edhe pse tashmë janë regjistruar të vdekur në aeroport,  njerëzit që ikin e dinë, që jashtë tij, i pret një situatë më e keqe se sa vdekja. Ministrat e Jashtëm të vendeve të grupit G7 kërkuan nga talibanët garanci për njerëzit që duan të largohen nga vendi si dhe për të huajt. Talebanët ndërkohë, kërkojnë ndihmë ndërkombëtare për rindërtimin e  vendit.
 
“Ne sapo kemi dalë nga një periudhë lufte dhe shkatërrimi. Në këtë fazë të re, njerëzit e Afganistanit kanë nevojë për ndihmën e vendeve të tjera. Ata duhet të na ndihmojnë në shëndetësi,  infrastrukturë, arsim  dhe sektorë të tjerë e  mund të eksplorojnë burimet tona natyrore. Kjo është ftesa jonë për të gjitha vendet. Vlerësojmë çdo vend që na ndihmon në këtë kohë vendimtare të historisë sonë.”,- deklaroi zëdhënësi i Zyrës Politike të talibanëve në Katar, Suhail Shaheen.
 
Emirati islamik i Afganistanit, vazhdojnë bisedimet për qeverinë e re
 
Vazhdojnë ndërkohë bisedimet për formimin e qeverisë së re të vendit që tani quhet Emirati Islamik i Afganistanit.
 
“20 vitet e fundit luftuam pushtimin nën emrin e Emiratit Islamik të Afganistanit, kështu që tashmë ne jemi Emirati Islamik, por natyrisht që diskutimet tona po vazhdojnë. Delegacioni, i kryesuar nga Mullah Abdul Ghani Baradar, diskuton për formimin e një qeverie islamike gjithëpërfshirëse afgane,  pas konsultimit me udhëheqjen e lartë të Emiratit Islamik të Afganistanit.”,- theksoi zëdhënësi i Zyrës Politike të talibanëve në Katar, Suhail Shaheen.
 
Zëdhënësi nuk dha më shumë informacion se kush do të luajë rolin udhëheqës në qeverinë e re, por theksoi përsëri pjesëmarrjen e politikanëve të tjerë afganë. Premtoi se gratë do të gëzojë të drejtat që u takojnë sipas Sherihatit, e do të lejohen të punojnë.
 
“Sigurisht, mund të shkojnë në punë, në treg dhe po marrin pjesë në shoqëri. Dhe nuk ka një lloj të veçantë të hixhabit, ka lloje të ndryshme të hixhabit, kështu që kjo varet nga ato, bazuar në punën që mund të zgjedhin.”,- u shpreh Shaheen.
 
Sipas tij edhe gazetarët po kthehen dhe mund të kritikojnë. Shkollat janë hapur, mjetet janë kthyer në punë, pra normaliteti është kthyer e nuk ka nevojë për shqetësime. Por edhe përkundër deklarimeve, në një dokument konfidencial që e disponon OKB, flitet se talebanët kanë filluar kërkimin për njerëzit që punonin për forcat e NATO-s ose qeverinë e mëparshme afgane për t’i ndëshkuar.
 
MIGENA GORENCA