Botë

NATO për Afganistanin: Prioritet evakuimi, do të nxjerrim mësime

20.08.2021 17:37

Ministrat e jashtëm të NATO-s në një mbledhje të jashtëzakonshme kanë diskutuar situatën në Afganistan...

Ministrat e jashtëm të NATO-s në një mbledhje të jashtëzakonshme kanë diskutuar situatën në Afganistan të cilët njëzëri kanë shprehur shqetësimet për dhunën që po ndodh atje dhe bëjnë thirrje të ndërpriten abuzimet me të drejtat  e njeriut. Thonë se detyrë imediate është përmbushja e angazhimit për  të vazhduar evakuimin e sigurt të qytetarëve, shtetasve të vendeve partnere dhe afganëve në rrezik, në veçanti atyre që kanë ndihmuar aleatët.
 
“Prioriteti ynë i parë është t’i evakuojmë aleatet, partnerët dhe afganët që punuan me ne. Ne presim që talebanët të respektojnë angazhimet e tyre, dhe të sigurohen që Afganistani  të mos bëhet përsëri strehë  e sigurt për terrorizëm. Talebanët duhet t’i japin fund dhunës  dhe të mbrojnë të drejtat e qytetarëve. Pjesa më e vështirë me të cilën më së shumti ballafaqohemi është sigurimi  i qytetarëve për të hyrë  në aeroportin e Kabullit. Presim nga talebanët të lejon kalim të sigurt të qytetarëve të huaj dhe afganëve.”,- tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
 
Stoltenberg tha se shumë aleatë janë pajtuar të pranojnë refugjatët afganë përkohësisht. Në Afganistan janë 800 kontraktues, të  angazhuar për NATO-n. Në rrethana aktuale, NATO ka pezulluar çdo mbështetje për autoritetet afgane. Sipas deklaratës së përbashkët të ministrave të NATO-s,  çdo qeveri afgane duhet t’i përmbahet detyrimeve  ndërkombëtare.  
 
NERMIN MUALKI FEJZULLAHU