Botë
Presidenti Biden premton të kthejë në SHBA çdo amerikan që do të largohet nga Afganistani
21.08.2021 12:26
Presidenti amerikan Joe Biden u zotua të premten se çdo amerikan që dëshiron..

Presidenti amerikan Joe Biden u zotua të premten se çdo amerikan që dëshiron, do të evakuohet nga Aghanistani që tani kontrollohet nga Talebanët, ndërkohë që rreth 13,000 janë kthyer deri më tani në Shtetet e Bashkuara.
I përballur me një valë kritikash mbi mënyrën e tërheqjes së trupave amerikane, zoti Biden tha se nuk mund të premtonte se cili do të ishte rezultati përfundimtar në Afganistan, ku Shtetet e Bashkuara luftuan kundër grupit islamik për 20 vjet.
"Është një nga evakuimet më të vështira nga ajri në histori dhe i vetmi vend në botë që ka aftësinë për të shfaqur këtë lloj kapaciteti të fuqishëm në anën tjetër të botës me këtë nivel preçizioni janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës," tha zoti Biden në një fjalim në Shtëpinë e Bardhë.
"Ne do të bëjmë gjithçka, gjithçka që mundemi, për të mundësuar evakuim të sigurt për aleatët tanë afganë, partnerët dhe afganët të cilët mund të jenë në shënjestër për shkak të lidhjeve të tyre me Shtetet e Bashkuara," tha zoti Biden, duke shtuar se qeveria amerikane do të sillte në vend çdo amerikan që dëshiron të largohet.
Fuqitë e huaja janë përpjekur të përshpejtojnë evakuimet pas raportimeve për hakmarrje nga ana e Talebanëve, përfshirë kundër njerëzve që kishin punuar me forcat e drejtuara nga SHBA ose qeverinë e mëparshme të mbështetur nga Perëndimi.
Në total, vendet e huaja kanë evakuuar më shumë se 18,000 vetë që kur militantët morën kryeqytetin Kabul, sipas aleancës transatlantike NATO, por qeveritë perëndimore po përballen me kritika se nuk parashikuan një eksod kaq kaotik.
