Botë

Miratimi i plotë i vaksinës së Pfizer, Biden bën thirrje për vaksinim të detyrueshëm

24.08.2021 09:47

Administrata Federale Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA)...

Pasi Administrata e Ushqimit dhe Barnave i dha miratimin e plotë vaksinës së Pfizer dhe Biontech, presidenti amerikan Joe Biden, i kërkoi sektorit privat dhe qeverive lokale të bëjnë të detyrueshëm vaksinimin për punonjësit e tyre.

Pentagoni duket se do të jetë i pari që do të bëjë realitet kërkesën e Biden. Pas aprovimit të plotë nga FDA, Departamenti Amerikan i Mbrojtjes njoftoi se do të përfshinte vaksinën në listën e injeksioneve të detyrueshme për personelin ushtarak amerikan.
 
Edhe qyteti i Nju Jorkut tha se do të kërkojë nga mësuesit dhe stafi i shkollave publike të vaksinohen kundër koronavirusit. Pfizer/BioNTech është miratuar për përdorim emergjent që në muajin dhjetor, e mbi 90 milion amerikanë e kanë marrë vaksinën deri më tani. Por miratimi i plotë i saj nga enti rregullator, është një garanci më shumë për sigurinë dhe efikasitetin.
 
Sa i përket vaksinimit të fëmijëve nën moshën 12-vjeçare, autoritetet shëndetësore në SHBA thonë se duhet pritur derisa të kenë të dhëna të mjaftueshme për sigurinë dhe efektshmërinë e vaksinës.
 
Kompanitë farmaceutike pritet të paraqesin të dhënat në mesin e vjeshtës.