Botë

Ferizaj, u protestua për vrasjen e 18-vjeçares

24.08.2021 14:24

Nën organizim të Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, në Ferizaj të Kosovës u protestua kundër vrasjes dhe dhunës ndaj grave...

Nën organizim të Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, në Ferizaj të Kosovës u protestua kundër vrasjes dhe dhunës ndaj grave. Protesta erdhi pas vrasjes së një vajze 18-vjeçare nga i dashuri i saj në Ferizaj. Protestuesit para Stacionit Policor, Gjykatës dhe Prokurorisë në Ferizaj kërkuan dënime maksimale për vrasësit e grave. 
 
"Dënime maksimale për vrasësit e grave. Boll më! Boll më! Boll më!.”,- brohoritën protestuesit.
 
QKSGJ: Dhuna në baza gjinore, shqetësim për vendin
 
Vrasja e 18 vjeçares nuk është rast i izoluar, dhuna në baza gjinore janë shqetësim për shëndetin publik në Kosovë, theksuan organizatorët e protestës.
 
“Nga kjo protestë i kemi disa kërkesa konkrete: Adresimi i fenomenit të femicidit siç e parasheh Konventa e Stambollit, të cilën e votuan të gjithë deputetët tanë; Dënim maksimal për vrasësit, siguri për vajzat dhe gratë, por kemi edhe një kërkesë për policinë, që të trajtojë me dinjitet edhe në mënyrë të barabartë të gjitha gratë dhe vajzat të cilat raportojnë rastet e tyre të kanosjes, kërcënimit, përdhunimit apo çfarëdo rasti tjetër në baza ditore.”,- tha Bjeshka Guri nga QKSGJ.
 
Policia: U arrestua vrasësi kryesor për vrasjen e 18 vjeçares
 
Ndërkohë policia ka njoftuar se është arrestuar i dyshuari kryesor për vrasjen e 18-vjeçares, Dardan Krivaqa. 
 
“Para 2-3 minutave mora konfirmimin se personi i dyshuar, Dardan Krivaça, është arrestuar para 5 minutave këtu diku në Ferizaj. Njësitet policore janë ne teren, janë diku e sjellë personin e dyshimtë në objektet e policisë.”,- tha majori i Policisë në Ferizaj, Mehmet Alajdini.
 
Edhe Prokuroria ka konfirmuar se është arrestuar personi edhe personi i dytë i dyshuar i vrasjes së 18 vjeçares në Ferizaj.
 
GYLTENE SINANI