Maqedoni
Regjistrimi i popullsisë, Simovski: Jemi gati për fillimin e regjistrimit
25.08.2021 14:07
Të mërkurën edhe zyrtarisht mbyllet edhe afati i fundit për aplikim të regjistruesve, për regjistrimin e popullsisë....

Të mërkurën edhe zyrtarisht mbyllet edhe afati i fundit për aplikim të regjistruesve, për regjistrimin e popullsisë, afat ky i cili është shtyrë në disa raste që të plotësohen vendet e nevojshme prej rreth 6000 regjistruesve sa ishin të planifikuar për t’u angazhuar. Drejtori i Entit Shtetëror të Statistikave, Apostol Simovski, potencoi se numri i aplikantëve deri më tani është diku rreth 8000 persona, por pranon se në disa vende interesimi ka qenë shumë i ulët.
“Ka disa rajone të regjistrimit, ku interesimi është katastrofal siç janë komunat e Petrovecit dhe Ilindenit. Por, në nivel shtetëror deri më tani kemi diku rreth 8000 persona që kanë aplikuar dhe besoj se do të kemi mbulesë në të gjitha komunat. Regjistrimi është i planifikuar të zbatohet në 50 rajone regjistruese, ndërsa priten të angazhohen rreth 5000 regjistrues, plus pjesa rezervë, si dhe plus 500 instruktorë regjional.”,- tha drejtori i EShS, Apostol Simovski.
Edhe pse pasqyra epidemiologjike nuk është në favor, ESHS është e bindur se regjistrimi i popullsisë domosdoshmërisht duhet të fillojë në bazë të planit të paraparë dhe janë ndërmarrë të gjitha masat. Simovski potencoi se standardet për regjistrim janë në përputhje me Eurostadin dhe Kombet e Bashkuara, ndërsa mundësi për manipulim apo falsifikim është zero.
“EShS ka marrë protokolle shumë të sakta dhe ato protokolle janë shumë rigoroze, por do të kërkojmë që edhe qytetarët t’i përmbahen këtyre protokolleve, sepse ajo është në të mirën e përgjithshme. Por, janë paraparë edhe protokolle të veçanta për personat e infektuar, apo atyre që janë në izolim. E mira e gjithë kësaj është se tani kemi më shumë kohë për regjistrim dhe në vend të 15 ditëve në atë kohë tani kemi 26 ditë. Por, për fat të keq vaksinimi i regjistruesve, por edhe i qytetarëve nuk është i detyrueshëm dhe ne nuk mund ta detyrojmë dikë të vaksinohet, ndërsa një pjesë e madhe e tyre janë të vaksinuar.”,- tha drejtori i EShS-së, Apostol Simovski.
Simovski përsëriti edhe faktin se regjistrimi është i detyrueshëm dhe në bazë të ligjit janë paraparë edhe gjoba për ata që nuk do të regjistrohen. Problem, sipas Simovskit, nuk do të jetë mospasja e letërnjoftimit, sepse për çdo person është i nevojshëm të merret vetëm numri amë, nga cilido dokument.
FITIM KRYEZIU
