Siria akuzon Izraelin për sulmet ajrore mbi territorin sirian
Ushtria siriane ka akuzuar Izraelin se ka kryer dy sulme ajrore mbi territorin sirian.....

Avionët izraelitë bombarduan zonat pranë aeroportin ndërkombëtar në Damasak dhe në qytetin Dimas, ka thënë ushtria siriane, me anë të një deklarate në televizionin shtetëror vendas.
Ndërkohë, në lidhje me këtë akuzë të Sirisë deri tani nuk ka pasur asnjë reagim nga pala izraelite. “Pasditen e së dielës, Izraeli ka kryer dy sulme ajrore, duke pasur si shënjestër dy zona të sigurisë në Damask”, thuhej në deklaratën e ushtrisë siriane. Siria i ka cilësuar sulmet e pretenduara si një “agresion të drejtpërdrejtë” për të ndihmuar kundërshtarët e Qeverisë siriane.
Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut me bazë në Londër, i cili monitoron konfliktin sirian, ka thënë se janë dëgjuar rreth 10 shpërthime pranë qytetit të Dimasit, i cili ndodhet pranë kufirit me Libanin dhe se ka pasur edhe 8 sulme ajrore në lindje të Damaskut.
