Botë

Afganistan, 10 mijë njerëz presin në aeroport për evakuim

26.08.2021 15:47

Më shumë se 10.000 afgan janë duke pritur në aeroportin e Kabulit për t’u evakuuar...

Më shumë se 10.000 afgan janë duke pritur në aeroportin e Kabulit për t’u evakuuar. Edhe pse talebanët premtuan evakuim të sigurt, shërbimet sekrete kanë marrë të dhëna për sulm të mundshëm kamikaz pranë aeroportit nga ana e ISIS dhe për këtë arsye kanë rritur vigjilencën. Talebanët bëjnë presion që të përfundojnë evakuimet deri në afatin e përcaktuar më 31 gusht. Por, sekretari amerikan i shtetit Antoni Blinken tha se SHBA-të do të vijojnë përpjekjet për të larguar nga Afganistani amerikanët, aleatët dhe afganët e tjerë në rrezik edhe pas datës 31 gusht, i cili është afati i fundit për të tërhequr trupat ushtarake.
 
“Nuk ka asnjë afat për të evakuuar amerikanët dhe afganët që duan të largohen pas 31 gushtit. Ata nuk do të harrohen. Siç thashë, ne do të përdorim çdo mjet ndihmës, që kemi në dispozicion, diplomatik apo ekonomik, për të ushtruar presion mbi talebanët në mënyrë që ata të lejojnë njerëzit të largohen nga vendi.”,- tha sekretari i shtetit, Antony Blinken.
 
Edhe  shoqatat civile theksojnë se evakuimi i plotë deri në datën e përcaktuar duket si mision i pamundur.  
 
“31 gushti ishte datë e përcaktuar pa menduar dy herë, por talebanët po e vështirësojnë evakuimin. Mijëra afgan do të mbeten pa u evakuuar deri më këtë datë.”,- tha aktivistja e organizatës afgano-amerikane.
 
Deri më tani vetëm Polonia dhe Belgjika i kanë dhënë fund operacioneve të tyre në Kabul, ndërsa vende të tjera evropiane kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë të qëndrojnë deri sa te mbaroje tërheqja e plotë e trupave. Ndërkohë një grup prej 32 personash nga Afganistani kanë mbetur peng në kufirin midis Polonisë dhe Bjellorusisë, pasi shteti polak nuk lejon hyrjen e tyre në këtë vend. Organizata për të drejtat e njeriut, “Amnesty International”, i bëri thirrje Polonisë që të lejojë hyrjen dhe të sigurojë ndihmë humanitare për ta.
 
"Këta njerëz po ikin nga një situatë e pashpresë në Afganistan. Duke i rrethuar me roje kufitare të armatosura, Polonia po reagon ashpër ndaj gjendjes së tyre",- thanë nga organizata “Amnesty International”.
                                                                                                     
Por, zyrtarët polakë këmbëngulin se grupi i migrantëve nuk do të lejohet të hyjë në Poloni, duke thënë se një gjë e tillë do të inkurajonte migrimin e mëtejshëm ilegal.
 
BELINDA KOKA ADEMI