“Hagupi” zbut forcën, Filipinet ende nën frikën e tajfunit
Mijëra njerëz në kryeqytetin e Filipineve, Manila, janë evakuuar sot nga tajfuni “Hagupi”, i cili solli erë të fuqishme edhe në këtë pjesë të vendit.....

Në rajonin Baseko, njerëzit janë strehuar nëpër shkolla dhe janë në pritje të ndihmave ushqimore të qeverisë.
“Shtëpia jonë gjendej pranë detit dhe era na e mori çatinë me vete. U tmerruam dhe kjo është arsyeja pse jemi strehuar këtu”- deklaroi qytetarja nga Basekos, Eva Bendoy.
Autoritetet po ridrejtojnë aksionet e emergjencës për t’u dalë në ndihmë të evakuuarve. Tajfuni “Hagupit” goditi Filipinet një vit pas një tjetër supertajfuni të kategorisë së 5-të, i cili la pas 7 mijë të vdekur. Edhe tajfuni i para një viti ishte mësim i mirë për autoritetet që filluan më herët aksionet e evakuimit. Autoritetet thonë se kësaj radhe kaluan mirë, me vetëm 21 viktima.
Sekretari i Përgjithshëm i “Kryqit të Kuq” në vend, Gvendolyn Pang, njoftoi se nga të vdekurit 18 persona jetonin në ishullin lindor Samar. “Hangupit”, sot në mëngjes goditi sërish disa ishuj të vegjël në Kuezon. Por, me gjithë valët e mëdha që ai solli me vete, tajfuni nuk arriti të ulë dëshirën e peshkatarëve për të jetuar pikërisht këtu.
“Ne kjo situatë na ka bërë edhe më të fortë. Jetojmë vetëm një herë dhe stuhi të tilla e forcojnë njeriun”- u shpreh peshkatari, Danilo Kortez.
“Valët ishin të stërmëdha. Mund të na kishin fshirë të gjithëve, po të mos ishim strehuar këtu lart”- tha qytetarja, Virginia Dacuno.
“Këtu jemi të sigurt. Nëse do të vazhdonim të qëndronim afër bregut, uji mund të na kishte marrë me vete. E nëse kjo do të ndodhte, deri tani do të kishim vdekur”- theksoi qytetarja, Enriquita Arevalo.
Njerëzit e vendbanimeve, në të cilat u përplas drejtpërdrejt tajfuni, ende nuk janë kthyer në shtëpitë e tyre dhe shumë provinca ende nuk kanë energji dhe rrugët janë të mbuluara nga balta dhe uji, që la pas stuhia e fuqishme.
Ky tajfun u shoqërua me erëra deri në 210 kilometra në orë. Mbi 1 milionë persona janë evakuuar nga fshatrat bregdetare dhe zonat që rrezikohen nga rrëshqitja e dheut dhe janë vendosur në strehime të përkohshme. (Ersan Pajaziti, TVM2)
