Botë

Rama: Vaksinim të detyruar për studentët e pedagogët

26.08.2021 19:00

Kryeministri, Edi Rama, ka paralajmëruar vaksinim të detyrueshëm për studentët dhe pedagogët në Shqipëri...

Kryeministri, Edi Rama, ka paralajmëruar vaksinim të detyrueshëm për studentët dhe pedagogët në Shqipëri, pas rritjes së ndjeshme të infektimeve për shkak të variantit “Delta”.
 
“Vaksinimi për studentët do të jetë i detyrueshëm, që ta dinë që nëse vjen momenti, e të mos thonë "pse s'na thatë, dua 's’dua", se ata që janë pjesë të aktivitetit të tyre bashkë me të tjerë është përgjegjësi që nëse për veten mund të thonë s'dua t'ia di, s'mund të t'i marrin të tjerët në qafë.”- tha kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.
 
Rama bëri edhe një paralajmërim që vaksinimi i detyruar mund të shtrihet edhe në sektorët e punës, ku kontakti me njerëzit është i afërt.
 
“E dyta që është me rëndësi është që mund të vijë momenti që vaksinimi të jetë me detyrim.”- tha Rama.
 
Rama u ndal edhe te tema e ardhjes së afganëve në Shqipëri dhe strehimit të tyre në konvikte. Sipas tij, mbërritja e tyre në vendin tonë po vonohet për shkak të logjistikës dhe fluturimeve.
 
“Këtu është pjesa ku përkohësisht do të vendosen afganët. Megjithëse po shtyhet ardhja e tyre për shkak të shtyrjes së fluturimeve. Mund të ndodhë që mund të mos nevojiten nëse lirohen strukturat hoteliere pas përfundimit të sezonit. Nuk bëhet fjalë që të ikin studentët për të sjellë afganët këtu.”- u shpreh Rama.
 
Dje Komiteti i Ekspertëve vendosi të mos i ndryshojë rregullat, por bëri apel të fortë që qytetarët të vaksinohen për të shmangur një përkeqësim të shifrave të virusit Korona. 
 
LULJETA NDOKA