Maqedoni
Plenumi Studentor paralajmëron protestë për provimin shtetëror
08.12.2014 15:35
Plenumi Studentor sërish ka paralajmëruar marsh protestues kundër realizimit të propozimit për provim shtetëror, i cili është paraparë të mbahet të mërkurën...

Në faqen tyre në fejsbuk, studentët thonë se kërkesat e tyre e tejkalojnë partinë, sepse ata duan ta potencojnë pavarësinë intelektuale, mendimin kritik, i cili nuk është i dirigjuar nga asnjë agjendë politike.
Këtë qëndrim të studentëve sot e komentoi zëvendësministri i Arsimit, Spiro Ristovski, sipas të cilit, në kontiniutet kemi ndryshim të qëndrimeve të personave që vetën e quajnë si Plenumi Studentor, duke u thirrur në qëndrime të cilat e defokusojnë opinionin publik.
Në njëfarë mënyre kemi ndryshim të motivit për të protestuar dhe tani bëhet fjalë për ndalimin e çdolloj reforme në arsimin e lartë dhe ftohen qytetarë, prind, d.m.th. u humb sensi studentor.
Sipas tij, politika është e përzier në këtë situatë dhe disa subjekte politike me çdo kusht duan të krijojnë gjendje të tillë dhe të përfitojnë pikë politike.
“Të mos keqpërdoren studentët në mënyrën e cila nuk është adekuate, me luftë legjitime politike. Sepse lufta legjitime nënkupton krijimin e programeve, projekteve, në këtë rast konkret kemi të bëjmë me bindjen tonë, por edhe të opinionit publik, se është në mënyrë direkte e përzier politika, që partitë politike të caktuara të përfitojnë me të ashtuquajturën protestë të suksesshme të studentëve, ku do të ketë më pak studentë dhe më shumë politikë”- deklaroi zëvendësministri i Arsimit, Spiro Ristovski.
Sipas Ristovskit, për këtë propozim-ligj do të ketë debat të gjerë publik, ku do të përfshihen studentët, universitetet dhe në fund do të jepet zgjidhje e pranueshme, e cila do të ketë për qëllim ngritjen e cilësisë në arsimin sipëror.
FLUTURA LATIFI
