Botë
Zbulohet një variant i ri i Covid-19 në Turqi
27.08.2021 11:47
Autoritetet në Turqi njoftuan se kanë zbuluar variante të reja COVID-19...

Autoritetet në Turqi njoftuan se kanë zbuluar variante të reja COVID-19 në provincën bregdetare perëndimore të Izmirit (Smirna).
Dhoma Mjekësore e Izmirit dhe Shoqata për Ekspertizën Klinike të Mikrobiologjisë deklaroi se përveç mutacioneve kryesore të virusit – variantet Alpha, Beta, Gamma dhe Delta – u zbuluan edhe lloje të reja.
“Duhet të kryhen analizat e sekuencave të acidit nukleik dhe rezultatet duhet të bëhen të ditura për publikun, në mënyrë që të hetohen karakteristikat e këtyre varianteve”, tha Dhoma.
Raportet thonë se në analizën e kryer me testet PCR që synonin tre mutacione kryesore në variantet Alpha, Beta, Gamma dhe Delta në Izmir, u zbuluan versione që nuk i mbartin të trija mutacionet.
Njoftimi nxiti spekulimet se ekziston një variant Covid-19 ekskluziv në Turqi. Ndërsa vendi regjistroi 18,857 infeksione të reja të hënën dhe 232 vdekje, shkencëtarët turq janë duke punuar në kërkime për të përcaktuar nëse ekziston një variant ekskluziv turk.
Numri i rasteve Covid-19 në Turqi është rritur nga më pak se 5,000 në ditë në fillim të korrikut, kur qeveria lehtësoi masat kufizuese, në mbi 20,000 në fund të muajit të kaluar, duke arritur nivelet më të larta që nga prilli.
Shkalla e vaksinimit në Turqi është nën mesataren e parë në Europë. Vendi ka vaksinuar rreth 35.5 milionë të rritur me dy doza, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë. Turqia ka një popullsi prej rreth 85 milion njerëz, që do të thotë se numri i të vaksinuarve ka arritur në vetëm 41.8 përqind të qytetarëve.
