Brazil, baba dimri me tatuazhe, hiti i këtij fundviti

08.12.2014 15:48

Dhjetori është në javën e dytë të tij, por atmosfera e festave të fundvitit ka kohë që ka filluar.....

Fëmijët në të gjithë botën kanë filluar të shkruajnë listën e tyre të dëshirave për dhuratat e fundvitit, të cilën, sipas traditës, do t’ia postojnë Plakut të Vitit të Ri. Por, fëmijët në Brazil nuk e dinë një gjë, listën e tyre të dhuratave ata do t’ia dërgojnë sivjet një baba dimri jo të zakontë, një baba dimri të mbuluar gjithë tatuazhe.

Aktori brazilian, Vitor Martins, për 15 vite të tëra punon si baba dimri i një qendre tregtare. Ai ka një pamje natyrale, që e bën perfekt për këtë rol, ka flokë dhe mjekër borë të bardhë, njësoj si baba dimri i vërtetë. Por, ajo që nuk duket është trupi i tij, i cili në 94 për qind të sipërfaqes është i mbuluar nga tatuazhet.

“Historia ka filluar me këtë tatuazh. Këtu kam bërë një dre, këtu kam baba dimrin. Gjithçka në një atmosferë dëbore. Ky këtu është çelësi, të cilin e përdor kur hap dyert e shtëpive, në të cilat lë dhuratat. Ka edhe një yll. Ja edhe pema, të cilën baba dimri do ta zbukurojë. Ja edhe shkurtabiqi, që ndihmon baba dimrin në fabrikën e dhuratave. Dhe këtu kam shkruar “Baba dimri ju uron Gëzuar Vitin e Ri””- deklaroi aktori, Vitor Martins.

Por, ka njerëz që dyshojnë se ky përkushtim i Viktorit për të luajtur rolin më ikonik të botës, atë të baba dimrit, është në fakt një arsyetim i tij për të bërë edhe një tatuazh më shumë në lëkurë. Edhe pse artisti mendon që ka dhënë shumë përkushtim gjatë viteve në rolin e baba dimrit, ai e di që jo të gjithë njerëzit e duan njësoj, tani që ai ka zbuluar tatuazhet që zakonisht i fsheh poshtë rrobave.

“E çfarë problemi ka të bësh tatuazhe? Disa njerëz më thonë baba dimri me tatuazh, por kjo nuk më pengon. Por, ka edhe të tillë që kur e mësojnë që unë kam kaq shumë tatuazhe, nuk duan më të më marrin në punë në festat e fëmijëve të tyre. Ju dukem i çuditshëm”- tha Martins.

Por, ai është vetë baba i dy fëmijëve dhe i kupton disa prindër që e kanë problem t’i lënë fëmijët  e tyre të shoqërohen me një baba dimër që mund t’iu mësojë se tatuazhet nuk janë gjë e keqe.

Djemve dhe vajzave në paradën në San Paolo duket se fare nuk iu bënë përshtypje tatuazhet në trupin  e baba dimrit të tyre, por u kënaqën me kostumin e tij bardhë e kuq dhe me thirrjet ho ho ho dhe puthjet që ai ua jepte. Fëmijët më fatlumë madje arritën të hipin në prehrin e baba dimrit dhe i thanë atij në vesh dëshirat e tyre. Ku i dihet, ndoshta dikush prej tyre i ka kërkuar atij edhe lejen për tatuazhin e parë. (Merita Gashi, TVM2)