Botë

PDK–LDK do të bashkëqeverisin, Kadri Veseli kryeparlamentar

08.12.2014 16:06

Gjashtë muaj nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, dy partitë më të mëdha politike, PDK dhe LDK, ranë dakord të bashkëqeverisin me vendin...

Menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes, ka filluar edhe krijimi i institucioneve të reja të Kosovës.
 
Institucionet do të formohen në bazë të marrëveshjes së arritur për bashkëqeverisje, sipas së cilës, Qeverinë e Kosovës do ta drejtojë kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ndërsa PDK-ja do të drejtojë Kuvendin e Kosovës.
 
Kreu i PDK-së, Hashim Thaçi, do të jetë nënkryetar qeverie dhe ministër i Jashtëm. 
 
Seanca e Kuvendit, e nisur qysh më 17 korrik të këtij viti, vazhdoi sot, ku me 71 vota “për”, 41 “kundër” dhe 1 “abstenim” kryetar i Kuvendit të Kosovës u zgjodh Kadri Veseli, zëvendëskryetari i PDK-së.
 
Sipas krerëve të partive respektive, marrëveshja është në përputhshmëri me legjitimitetin qytetar dhe Kushtetutën e Kosovës, e që ka për qëllim nxjerrjen e vendit nga ngërçi politik, qeverisjen e mirë dhe integrimin euroatlantik.
 
“Është marrëveshje e arsyeshme, racionale për Kosovën e re, për Kosovën evropiane, është marrëveshje dhe zotimi ynë që të krijojmë hapësira të mjaftueshme edhe për opozitën, që ne të gjithë të bashkuar si shtet, si shoqëri, si politikë, si media, si shoqëri civile të punojmë për të mirën e vendit, për të mirën e shoqërisë kosovare, për të mirën e përbashkët”- deklaroi kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi.
 
“T’iu shpreh zotimin tonë se këtë marrëveshje e kemi bërë në interes të Republikës së Kosovës, e kemi bërë në interes të qeverisjes së mirë të vendit, të prosperitetit, në interes të zhvillimit ekonomik dhe të zgjidhjes së problemeve aktuale, me të cilat po ballafaqohen qytetarët tanë çdo ditë. Të forcimit të shtetit ligjor dhe të integrimit të vendit tonë në familjen evropiane, në Bashkimin Evropian”- tha kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.
 
Pas zgjedhjes së kryetarit, kuvendi ka proceduar edhe me zgjedhjen e tre nënkryetarëve.
 
Me 98 vota “për”, 2 “kundër” dhe 15 “abstenime” për nënkryetar janë zgjedhur Xhavit Haliti nga PDK-ja, Sabri Hamiti nga LDK-ja dhe Glauk Konjufca nga Vetëvendosje.
 
Edhe komunitetet pakicë kanë zgjedhur dy nënkryetarë të kuvendit. Te komunitetet jo-serbe, posti i nënkryetarit do të ketë rotacion çdo 14 muaj.
 
Pas zgjedhjes së kryesisë së Kuvendit Republikan, pritet të thirret edhe seanca e Kuvendit të Kosovës, për të zgjedhur kryeministrin e Kosovës, kabinetin e ri qeveritar dhe programin e qeverisë.
 
SHPËTIM NUREDINI