Banorët e Studeniçanit përballen me mungesë të ujit
Mungesa e ujit të pijshëm për pjesën e epërme të fshatit Studeniçan është bërë problem i kamotshëm.....

Për një fshat me rreth 8000 banorë, ndërprerjet e shpeshta me orë dhe ditë të tëra të ujit revoltojnë fshatarët, të cilët kërkojnë zgjidhjen e këtij problemi.
“Është fakt se ka problem, nuk mund të mohohet se kemi problem me ujin, zakonisht verës. Me gjithë se jam i punësuar edhe te shkolla shoh që edhe atje ujë nuk kemi rregullisht. Unë si qytetar rregullisht i paguaj faturat, kështu që duhet të ndërmarrin masa”- deklaroi një qytetar.
“Me ujin kemi problem çdoherë, sidomos gjatë verës. Kemi shumë problem, sepse rrjeti është i gjerë. Gjatë dimrit pjesa e epërme edhe shkolla nuk kanë ujë për pije. Për çdo ditë uji ndalet. Ato asnjë ditë nuk kanë ujë, ato vetëm natën kanë ujë, pas orës 12. Ky problem është i kamotshëm, mendoj ta rregullojmë, sa do të rregullohet nuk e di”- tha një qytetar.
Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Studeniçanit, Azem Sadiki, pranoi se mungesa e ujit për një pjesë të fshatit dhe ndërprerjet e shpeshta të ujit në pjesën tjetër është problem, i cili tha se do të zgjidhet në pranverën e hershme të vitit të ardhshëm, sipas tij, punimet e ujësjellësit janë në përfundim e sipër dhe i gjithë fshati së shpejti do të furnizohet me ujë.
“Një pjesë e punimeve të ujësjellësit në fshatin Studeniçan ka filluar përpara se unë të vij, një pjesë bukur të madhe e kemi vazhduar gjatë vitit 2013-2014, tani jemi në fazën përfundimtare të projektit të ujësjellësit. D.m.th. bëjmë përpjekje që të sigurojmë mjete për ta riparuar rezervuarin e ujit dhe disa rrugica anësore, që të lidhin dhe shumë shpejt do të arrijmë që ta lëshojmë në përdorim”- u shpreh kryetari i Komunës së Studeniçanit, Azem Sadiki.
Instalimi i ujësjellësit për herë të parë në këtë fshat është bërë në vitin 1974 dhe mungesa e ujit shpeshherë vjen si pasojë e gypave të vjetër, të cilët shpërthejnë kudo. Sadiku tha se gypat e ri janë instaluar, por akoma nuk janë lëshuar në përdorim, me riparimin e rezervuarit të ujit do të lëshohen në përdorim, me çka ky problem përfundimisht do të zgjidhet. (Farije Dauti-Bakiu, TVM2)
