Maqedoni

Në Kumanovë, 200 rrugë të paemërtuara

08.12.2014 17:12

Në Komunën e Kumanovës, aktualisht ekzistojnë madje 200 rrugë të paemërtuara, kryesisht në lagjet e reja periferike...

Në Komunën e Kumanovës, aktualisht ekzistojnë madje 200 rrugë të paemërtuara, kryesisht në lagjet e reja periferike, që shkakton problem për banorët e tyre në nxjerrjen e dokumenteve të identifikimit.
 
Për këtë arsye, Sektori për Veprimtari Komunale në Komunën e  Kumanovës ka filluar me azhurnimin e të dhënave në terren, sidomos në lagjet periferike. Paralelisht me këtë aktivitet ka filluar edhe numërimi i rrugëve dhe shtëpive, theksojnë nga Sektori për Urbanizëm dhe Veprimtari Komunale në Kumanovë. 
 
Të dhënat e azhurnuara pastaj do të dërgohen tek institucionet përkatëse, kurse procedura e njëjtë do të zbatohet edhe në pjesët tjera të qytetit, ku ende nuk është kryer emërtimi i rrugëve. 
 
Ndryshe, emërtimi i këtyre rrugëve do të kryhet paralelisht me legalizimin e objekteve të ndërtuara paleje, për çka do të formohen ekipe të posaçme të këtij sektori. 
 
Ndërkohë që gjatë periudhës së ardhshme do të vijojë edhe procesi i azhurnimit të propozimeve për emërtimin e rrugëve, të cilat do të dorëzohen tek institucionet relevante për shqyrtim dhe pëlqim të mëtejmë.  
 
NEXHAT AQIFI