Botë

Shqipëri, shënohet 24 vjetori i Pluralizmit

08.12.2014 17:15

8 dhjetori shënon “Ditën botërore të rinisë”, por për Shqipërinë ka një domethënie mjaft të veçantë...

Sot shënohen plot 24 vjet që nga dita e nisjes së lëvizjes së dhjetorit, e cila shembi njëherë e përgjithmonë regjimin Totalitar në Shqipëri, për ta zëvendësuar me atë Pluralist.
 
Me rastin e kësaj dite, nuk kanë munguar aktivitetet si nga qeveria, ashtu edhe nga opozita.
 
I pari që ka folur për rëndësinë e 8 dhjetorit ishte kryeministri, Edi Rama, i cili përshëndeti Asamblenë Botërore të Rinisë, e mbledhur në Tiranë. Rama u bëri thirrje të rinjve që të merren me politikë për të ardhmen e tyre.
 
Vetëm një orë më vonë, kreu i opozitës shqiptare, Lulzim Basha, tha se PD-ja refuzon çdo përpjekje për rikthim në diktaturë, që bën dyshja Rama-Meta.
 
Më 8 dhjetor të vitit 1990, filluan protestat e para nga grupi i “Studentëve të dhjetorit”, të cilët me iniciativën e tyre çuan në rënien e Komunizmit në Shqipëri.
 
LULJETA NDOKA