Botë

Ballkani nisi vitin shkollor, vit pandemik, me masa specifike sipas shteteve

01.09.2021 14:57

Shumica e vendeve të Ballkanit po nisin një vit shkollor me prani fizike, për dallim nga viti i kaluar ku nxënësit në Ballkan mësuan online....

Shumica e vendeve të Ballkanit po nisin një vit shkollor me prani fizike, për dallim nga viti i kaluar ku nxënësit në Ballkan mësuan online. Shqipëria shtyu fillimin e vitit të ri shkollor për më 27 shtator, e në këtë periudhë do të trajnojë mësuesit. Qeveria paralajmëron se do të miratojë vendim për vaksinim të detyrueshëm për profesorët universitarë dhe studentët. 
 
Në Kosovë fillimi i vitit të ri shkollor është shtyrë për më 13 shtator. Autoritetet arsimore synojnë që mësimi të vijojë me prani fizike dhe me orare të rregullta. 
 
Në Serbi shkolla nisi nga kjo e mërkurë me prani fizike. Por në komunat me numër të madh infektimesh, do të mësohet online ose në mënyrë të kombinuar në varësi të zonave. 
 
Edhe në Slloveni filloi në kohë viti i ri shkollor, por profesorët e pavaksinuar janë të detyruar të testohen rregullisht me harxhimet e tyre, e nëse refuzojnë, mund të përjashtohen nga puna. 
Shkollat në Mal të Zi hapën dyert duke shkurtuar kohëzgjatjen e orëve mësimore në 30 minuta. 
 
Në Bosnje dhe Hercegovinë, orët mësimore do të mbahen me kapacitet të plotë, pra 45 minuta. Mësimdhënësit dhe nxënësit mbi moshën 11 vjeç janë të detyruar të mbajnë maska.
Viti shkollor në Kroaci nis më 6 shtator. 
 
Shkollat në Greqi do të hapen më 13 shtator, me kusht vërtetim vaksinimi për fëmijët mbi 12 vjeç, ose certifikatë se e kanë kaluar virusin në 6 muajt e fundit. Në të kundërtën, do të duhet të bëjnë teste dy herë në javë. E njëjta vlen edhe për mësimdhënësit e pavaksinuar. Në rast se mësimdhënësi refuzon, do të suspendohet nga puna. 
 
Në Turqi, viti shkollor do të fillojë me prani  fizike më 6 shtator. Mësimdhënësit e pavaksinuar dhe studentët duhet të bëjnë test PCR të paktën dy herë në javë. Testet e detyrueshme PCR në Turqi janë  pa pagesë. 
 
Viti shkollor në Rumani do të fillon me prani të fizike më 13 shtator. Prindërit do të vendosin nëse pajtohen për vaksinim të fëmijëve mbi moshën 12 vjeç. 
Bullgaria vendosi që shkollat të hapen më 15 shtator me mësim me prani fizike.  
 
BELINDA KOKA ADEMI