Rikthehet Championsi, kryesfida Liverpool- Basel

09.12.2014 10:37

Liga e Kampionëve rikthehet sonte më ndeshjet e xhiros së gjashtë, të fundit të fazës së grupeve.....

Në Grupin A, kryendeshja do të luhet në Torino, ndërmjet Juventusit dhe Atletico Madridit. Kampionët e Italisë luajnë ndeshjen vendimtare për të siguruar kualifikimin në fazën tjetër të garave, derisa kampionët e Spanjës që në xhiron e kaluar e kanë siguruar kualifikimin, sepse tashmë kanë 12 pikë, tri më shumë së Juventusi.

Në Grupin B, Real Madrid që nuk ka pësuar asnjë humbje, ka siguruar ‘vizën’ për rrethin tjetër të garave dhe sfidën e sotme kundër PFC Ludogorets Razgrad e luan vetëm formalisht. Në këtë grup, ndeshje e ‘nxehtë’ pritet të jetë ballafaqimi në ndërmjet Liverpoolit dhe Baselit të shqiptarëve, që kanë nga gjashtë përkatësisht katër pikë. Skuadra e cila do ta fitojë duelin në ‘Anfield’ do të sigurojë kualifikimin.

Ndërkaq, në Grupin C, gjerat duket se janë më të komplikuara. Leverkusen që ka 9 pikë do të jetë mysafirë i Benficas, e cila ka vetëm katër pikë. Gjermanët e Leverkusenit synojë rezultat pozitive që çon në fazën tjetër, derisa Monaco që zë vendin e dytë më 8 pikë me fitoren eventuale kundër Zenitit do të sigurojë kualifikimin në mesin e 16 skuadrave më të mira evropiane.

Kurse, në Grupin D, tashmë gjithçka është e qartë. Borussia Dortmund dhe Arsenal kanë siguruar kualifikimin më 12 përkatësisht 10 pikë, dhe duelet e radhës kundër Anderlechtit dhe Galatasarayt i luajnë vetëm formalisht.