Shënohet “Dita ndërkombëtare kundër korrupsionit”

09.12.2014 16:35

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, këtë vit ka ngritur 7 padi për ndjekje penale për korrupsion dhe rreth 40 vërejtje publike ndaj bartësve të funksioneve për konflikt interesash......

Këtë e bëri të ditur kryetari i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Gjorgji Sllamkov, me rastin e shënimit të “Ditës ndërkombëtare për luftë kundër korrupsionit”.

“Deri tani janë parashtruar shtatë parashtresa për ndjekje penale deri te prokuroria publike. Sot do të publikohen 5 vërejtje të reja publike, në përputhje me Ligjin për Pengimin e Konfliktit të Interesave,  këtë e kemi mjetin e vetëm për reagim. Këtë vit kemi shqiptuar rreth 40 vërejtje publike ndaj bartësve të funksioneve publike, ku është konstatuar konflikt interesash”- deklaroi kryetari i Komisionit Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit, Gjorgji Sllamkov.

Ndërsa ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari, tha se qeveria dhe ministria që ai drejton mbeten të përkushtuara në luftimin e korrupsionit.

“Lufta kundër korrupsionit është lufta jonë e përbashkët e të gjithëve dhe sukseset varen nga ajo se si sillemi, si veprojmë, përkatësisht çfarë vendime marrim”- tha ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari.

Ndërsa Luza Unton nga UNDP-ja, porositi që qytetarët të tejkalojnë bindjet se korrupsioni është pjesë e jetës, se duhet të japin para për të marrë shërbime më të mira mjekësore, apo në policia.

Njëherit, më tepër se 40 kryetarë të komunave nënshkruan politika anti-korruptive, me çka do të fillojnë procesin e implementimit të sistemit për integritet në komunat e tyre, në kuadër të shënimit të “Ditës botërore për luftë kundër korrupsionit”. (Gyltene Sinani, TVM2)