Plenumi Studentor nesër organizon protesta

09.12.2014 16:52

Plenumi Studentor, në një konferencë të improvizuar para Universitetit “Shën Cirili dhe Metodi” paralajmëroi marshin për protestën e nesërme, që do të fillojë në ora 12 para kampusit universitar dhe do të ketë si destinacion qeverinë dhe kuvendin.....

Studentët u bënë ftesë partive që të mos e keqpërdorin protestën e tyre dhe bënë të ditur se në marsh mund të kyçen të gjithë ata të cilët ndjejnë përgjegjësi qytetare për cilësinë e arsimit sipëror.

Qëllimi i protestës është tërheqja e propozimit për mbajtjen e provimit shtetëror dhe nuk ka prapavijë politike, theksuan studentët.

“Apelojmë që të mos ketë simbole nacionale apo partiake, sepse qëllimi ynë është mbipartiak dhe mbinacional. Ne kujdesemi për reformat e vërteta në arsimin sipëror”- deklaroi studenti, Alek Knezheviq.

“Jemi “pro” realizimit të debatit të hapur me ministrinë, sepse konsiderojmë se nuk jemi të kontaktuar për këto reforma që janë paraparë, por vendimi është i ministrit dhe ai do të vendos për këtë”- tha studenti, Filip Manev.

Në seancën e djeshme në qeveri, për shkak të numrit të madh të pikëve, nuk u arrit të diskutohet për provimin shtetëror. Sipas ministrit Ademi, ditëve në vijim do të jepet vendimi përfundimtar dhe më pas do të ketë debat publik trejavor, ku do të kyçen edhe studentët.

“Do ta definojmë konceptin në seancë të qeverisë, do ta ofrojmë për diskutim dhe pas debatit që do të zhvillohet, do të merret vendimi përfundimtar. Në këtë debat do të jenë të kyçur studentët, pavarësisht nëse janë anëtarë të Parlamentit Studentor ose të ndonjë organizate tjetër, për mua si ministër studentët janë të barabartë dhe dua të dëgjoj qëndrimin e çdo studenti”- deklaroi ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi.

Edhe Unioni Studentor Shqiptar përkrah protestat dhe fton të gjithë studentët e Maqedonisë që të takohen para Universitetit “Shën Cirili dhe Metodi”, që, siç thuhet, të ngrenë zërin e protestës kundër keqpërdorimit politik të studentëve.

Edhe studentët e Universitetit të Evropës Juglindore do të mbështesin protestat, të caktuara për më 10 dhjetor. Nga UEJL-ja thonë se arsyeja e mbështetjes është se provimi shtetëror prek gjithë komunitetin studentor. (Flutura Latifi, TVM2)