Në SOS numrin, 50% e thirrjeve për ndihmë nga varfëria

09.12.2014 17:06

Nga SOS-linja telefonike për fëmijë dhe të rinj, në periudhën prej janarit deri në dhjetor të vitit 2014 janë regjistruar 102 kontakte, informuan sot nga Ambasada e parë e Fëmijëve “Megjashi”......

Sipas drejtorit të ”Megjashit”, Dragi Zmijanacit, problem më i madh këtë vit është varfëria, për çka njerëzit kanë kërkuar ndihmë.
 
“Më nuk është problem vetmia, tjetërsimi apo agresioni, më nuk është problem as dhuna, rrahjet nëpër shkolla fillore dhe të mesme, por problemi më i madh që është regjistruar këtë vit nga linja jonë është varfëria e skajshme”- deklaroi drejtori i “Megjashit”, Dragi Zmijanac.
 
Ai shtoi se 50 për qind e thirrjeve lidhen me varfërinë, si analfabetizmi, keqtrajtimi i fëmijëve, përjashtimi nga shkolla, mospërfshirja e mjaftueshme e tyre nëpër çerdhe ose shkolla fillore, mospërfundimi i shkollës së mesme etj. 
 
“E gjithë kjo na jep të drejtë për të mobilizuar shoqërinë civile, mediat dhe institucionet shtetërore, sepse fëmijët nuk mund t’i realizojnë të drejtat themelore, sepse janë të goditur nga varfëria. Një familje, për të dërguar fëmijën në shkollë duhet t’i sigurojë atij veshje dhe këpucë, mjete shkollore dhe përderisa këto nuk ka mundësi t’ia sigurojë, ai fëmijë do të jetë i diskredituar dhe i përjashtuar nga shoqëria”- deklaroi drejtori i “Megjashit”, Dragi Zmijanac.
 
Sipas përkatësisë etnike, numri më i madh i të paraqiturve janë maqedonas ose 51 paraqitës, 13 shqiptarë, 19 romë dhe 19 nuk e kanë treguar përkatësinë etnike.  Prindërit e fëmijëve, të cilët lajmërohen në këtë linjë, kërkojnë edhe ushqim, gjë që e dëshmon varfërinë e skajshme, tha psikologja, Jana Zengovska.
 
“Fëmijët janë viktima potencial, kemi 146 fëmijë viktima potencial, ku ekziston dyshimi për shkelje të mundshme të ndonjë të drejte të tyre. 55 prej atyre fëmijëve janë viktima të varfërisë. Në ato raste më së shpeshti prindërit kanë kërkuar ndihmë për ilaçe, ose kanë kërkuar pajisje shkollore, ushqim ose shtesë për qëndrim shkollor”- tha psikologja, Jana Zengovska.    
                     
Përveç varfërisë që renditet e para, dhuna në familje është problem i dytë, nga i cili fëmijët janë viktima potencial, sepse ata janë të pambrojtur dhe të ekspozuar ndaj dhunës në familje.
 
Si problem i tretë këtë vit janë procedurat e divorceve, në të cilat fëmijët janë viktimat potencial të shkeljes së të drejtave të tyre dhe problemi i katërt është dyshimi për keqtrajtim seksual të fëmijëve nga ana e ndonjë të afërmi, ose njohës i fëmijës­viktimë.
 

 (Farije Dauti-Bakiu, TVM2)