Maqedoni

Ademi: drejtorët në kompetencë të komunave

09.12.2014 17:23

Emërimi dhe shkarkimi i drejtorëve është në kompetencë të Pushtetit Lokal, deklaroi ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi...

Emërimi dhe shkarkimi i drejtorëve është në kompetencë të Pushtetit Lokal, deklaroi ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi, i pyetur rreth kërkesës së nxënësve të paraleleve në gjuhën shqipe, në Shkollën e Mesme Ekonomike “Arseni Jovkov”, për dorëheqjen apo shkarkimin e drejtoreshës.
 
Ministria nuk është kompetente për këtë çështje, thotë Ademi, duke përkujtuar se Maqedonia ka hyrë në vitin e 10 të decentralizimit, e me atë edhe decentralizimit të arsimit.
 
“Emërimi i drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve është kompetencë e Pushtetit Lokal, ministria nuk jep as pëlqim për emërim dhe nuk jep as pëlqim për shkarkim. Ministria mund të japë rekomandim vetëm në rastet kur mund të ketë shkelje të ligjeve, që kanë të bëjnë me funksionimin e shkollës, pra që kanë të bëjnë me arsimin. Është viti i 10-të që Maqedonia ka hyrë në procesin e decentralizimit dhe secili duhet ta dijë që procesi i decentralizimit ose arsimi është i decentralizuar dhe komunat kanë kompetencat e tyre në arsimin fillor dhe të mesëm. Ministria e Arsimit bën vetëm politikat arsimore nëpërmjet vendimeve dhe ligjeve që i miraton dhe nuk e ka ndërmend të përzihet në kompetencat e Pushtetit Lokal, a veçanërisht në emërimet dhe shkarkimet që është kompetencë e tyre”- deklaroi ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi.
 
Këto komente Ademi i bëri pas nënshkrimit të memorandumit për bashkëpunim me përfaqësuesit e USAID-it në Maqedoni dhe Fondacionit për Iniciativë Arsimore dhe Kulturore “Hap pas hapi”, për realizimin e projektit “Leximi ju bën udhëheqës”.
 
Ky projekt ka për qëllim të vlerësojë dhe të përmirësojë shkathtësitë themelore nga gjuha amtare dhe matematika, në mësimin e nxënësve të shkollave fillore.
 
Deri më tani projekti është realizuar në 40 shkolla, me tendencë të shtrihet në tërë territorin e Maqedonisë.
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI