Botë
Filipinet vazhdojnë përballjen me tajfunin “Hagupit”
09.12.2014 17:39
Tajfuni “Hagupit”, i cili sot dobësoi intensitetin tij, që nga dita e shtunë deri mbrëmë mori hov mbi Filipinet...

Tajfuni “Hagupit”, i cili sot dobësoi intensitetin tij, që nga dita e shtunë deri mbrëmë mori hov mbi Filipinet, me një shpejtësi prej 210 kilometra në orë, duke lënë pas vetes të shkatërruar pjesën lindore të arkipelagut.
Moti i keq i mori jetën 27 personave, ndërsa mijëra shtëpi i shkatërroi deri në themel. Mbi 2 milionë banorë janë larguar nga shtëpitë e tyre dhe janë evakuuar në pjesët e tjera të vendit.
“Kryqi i kuq kombëtar” kumtoi se 11 persona kanë humbur jetën, si pasojë direkte e motit të keq dhe shtoi se të paktën 41 njerëz janë lënduar më rëndë nën rrënojat e turrit të erës së fuqishme. Në Filipinet është bërë edhe vlerësimi i parë i dëmeve, që e tejkalon shifrën prej dy miliardë dollarëve.
Krahas shtëpive të shkatërruara të 460.000 familjeve, dëme të mëdha do të ketë në bujqësi, sepse moti i keq i goditi të mbjellat vetëm dy deri në tre javë para vjeljeve.
"Ne ende po mundohemi të mbledhim disa nga të mbjellat edhe pse shumë pak nga ato kanë mbetur. Do të përpiqemi të këpusim edhe nëse ato kanë rënë, vetëm mos të jenë të dëmtuara”- deklaroi bujku, Nerio Garcia.
"Duam të shkojmë në shtëpi më, po ashtu edhe fëmijët. Gati se është ë sigurt të kthehemi, por po presim veturat”- tha qytetarja, Emily Bautista.
Agjencia filipinase NPA, kumtoi se në afërsi të porteve ekipet e shpëtimit ende mundohen t'iu ndihmojnë mbi 350 anijeve udhëtuese dhe kargo-anijeve larg bregut, ndërsa në brendinë e tyre raportohet të ketë 1.523 udhëtarë dhe anëtarë të ekuipazhit.
Mediat e vendit dhe të huaja lajmërojnë se edhe krahas asaj që “Hagupit” në Filipine i quajtur "Rubi" është tajfuni më i fuqishëm këtë vit, autoritetet dhe “Kryqi i Kuq” kanë treguar madje edhe efikasitet të papritur me masat për mbrojtje të popullatës.
LEUNORA KALIQI
