Maqedoni
Strugë, kërkohen rrugë dhe trotuare për personat me aftësi të kufizuara
11.09.2021 15:29
Për personat me aftësi të kufizuara fizike në Strugë, dalja nga shtëpia është një sfidë...

Për personat me aftësi të kufizuara fizike në Strugë, dalja nga shtëpia është një sfidë, shumica e institucioneve janë të paarritshme për to. Nga kufijtë e lartë të trotuareve, personat me aftësi të kufizuara fizike nuk mund të hyjnë as në zonat për këmbësorë, dhe mund të jetë edhe më e vështirë për të arritur në një institucion ose në dyqane private. Nga shoqata Poraka Nova kërkojnë që të gjendet një zgjidhje për këtë.
“Përveç që nuk kanë rampa hyrëse, vetë trotuaret janë shumë të larta, ne shpesh u bëjmë thirrje këshilltarëve dhe forumeve të komunitetit dhe komunës se ekziston një problem i madh me të cilin jo vetëm personat me aftësi të kufizuara, por edhe nënat me fëmijë, prindërit nuk mund të hypin karriket me rrota në trotuar për shkak të lartësisë së madhe”, u shpreh Anita Gugoska nga qendra Poraka Nova.
Nga Shoqata Poraka Nova, thonë se ky nuk është një investim i madh, duhet vetëm të shikohet problemi, për të zgjidhur barrierat me të cilat përballen çdo ditë personat me aftësi të kufizuara.
“Është diçka që gjendet në të gjithë Evropën. Ne vazhdimisht apelojmë që e njëjta të bëhet në Strugë. Në të njëjtën kohë kur disa rrugë po rindërtohen, e njëjta gjë mund të bëhet, por siç duket nuk po dëgjohemi”, theksoi Gugoska.
Në Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, e nënshkruar nga 156 vende, aksesi i këtyre personave në të gjitha institucionet dhe rrugët është një nga prioritetet, por nuk zbatohet në praktikë.
ILMIJE ZHAKU
