Botë
Republikanët: Kundër planit të Biden për vaksinim të detyruar
11.09.2021 16:53
Përpjekja e presidentit amerikan, Joe Biden për t’iu kërkuar miliona punëtorëve amerikanë...
Përpjekja e presidentit amerikan, Joe Biden për t’iu kërkuar miliona punëtorëve amerikanë që të vaksinohen kundër koronavirusit, ka hasur në rezistencë nga liderët republikanë.
Disa republikanë, pasi Biden njoftoi për planin e tij për ta bërë të detyrueshëm vaksinimin, thanë se ky vendim shkon përtej autoritetit kushtetues të presidentit, posaçërisht ideja që miliona amerikanë mund të humbasin vendet e punës nëse refuzojnë të vaksinohen kundër COVID-19.
Biden tha se ai po bën atë që duhet bërë për të luftuar pandeminë. Ai më 9 shtator tha se të gjitha kompanitë që kanë mbi 100 punëtorë duhet të kërkojnë nga punëtorët e tyre që të vaksinohen ose të testohen çdo javë për koronavirus.
Ky vendim erdhi teksa vlerësohet se 80 milionë qytetarë në Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë të pavaksinuar. Sipas Bidenit, të pavaksinuarit janë shkaktarët e rritjes së infektimeve ditore dhe hospitalizimeve. SHBA-ja tani ka rreth 300 për qind më shumë infektimeve ditore dhe mbi dy herë më shumë hospitalizime.
Po ashtu, numri i vdekjeve është dyfish më i lartë krahasuar me një vit më parë, kanë thënë zyrtarët. Disa guvernatorë republikanë kanë thënë se do të ngrenë padi kundër planit të presidentit. Përveç SHBA-së edhe shumë shtete të tjera po zbatojnë masa për t’iu bërë presion njerëzve që të vaksinohen.
