Botë

Kosova me qeveri të re, Isa Mustafa kryeministër

09.12.2014 17:53

Me 73 vota “për”, 38 “kundër” dhe 2 “abstenime”, Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur sot qeverinë e re, e cila do të drejtohet nga Isa Mustafa...

Qeveria e re e Kosovës është formuar mbi bazën e marrëveshjes për bashkëqeverisje ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, si dhe minoritetet.
 
Pjesë e qeverisë do të jetë edhe kryeministri i deritanishëm, Hashim Thaçi, i cili do të jetë zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme.
 
Kabineti qeveritar i Isa Mustafës do të ketë tre zëvendëskryeministra.  Pas procedurës së votimit, qeveria është betuar se do të punojë në interes të vendit, duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. 
 
Kryeministri i sapozgjedhur, Isa Mustafa, falënderoi të gjithë deputetët që kanë votuar “pro” kabinetit të tij qeveritar, si dhe ata që votuan “kundër”, përpos disa nga deputetët e LDK-së që kanë votuar “kundër”, e që, sipas Mustafës, nuk duhej ta bënin atë. 
 
Zgjedhja e qeverisë i dha fund ngërçit institucional gjashtëmujor në Kosovë, ndërsa zyrtarisht Mustafa detyrën do ta marrë më 12 dhjetor, nga kryeministri i deritanishëm, Hashim Thaçi.