Maqedoni
Filloi bojkoti në SHM “Arseni Jovkov”
09.12.2014 17:55
Nxënësit e Shkollës së Mesme Ekonomike “Arseni Jovkov” në Shkup, bojkotuan mësimin...

Nxënësit e paraleleve në gjuhën shqipe, në shenjë revolte për mbingarkesën e paraleleve shqiptare dhe moslejimin që të krijohen klasa të tjera shqiptare në vitin e parë në këtë shkollë nga ana e drejtoreshës së shkollës, sot ata nuk e ndoqën mësimin.
Ata kërkojnë që të japë dorëheqje drejtoresha e shkollës, Jovanka Asprovska dhe të emërohet një drejtor shqiptar në “Arseni Jovkov”.
“Ne sot e bojkotojmë mësimin. Arsyeja e bojkotit është për shkaqe të ndryshme, me qenë se nuk kemi aq shumë të drejta në këtë shkollë sa kanë nxënësit e palës maqedonase edhe pse janë një numër i vogël në këtë shkollë. Ne jemi nga 40 nxënës nëpër klasa, madje në disa raste kalohet numri 40, i cili numër nuk është i paraparë me ligj, sepse ligji thotë që çdo klasë të ketë 34 nxënës, kurse tek pala maqedonase janë diku rreth 15 nxënës në klasë”- u shpreh një nxënëse e kësaj shkolle.
“E përkrahim këtë bojkot, pasi që mendojmë se nuk i kemi të gjitha të drejtat në këtë shkollë, të drejtat e barabarta shqiptaro-maqedonase. Drejtoresha maqedonase këtu ka bërë padrejtësi, shqiptarët nuk i kanë të drejtat e njëjta si maqedonasit. Deri sa tek maqedonasit 15 nxënës janë regjistruar, as 10 nxënës nuk janë në orë të mësimit. Tek shqiptarët klasat janë të stërmbushura me nxënës, ka klasa që numri i nxënësve e kalon 42”- tha një nxënës i kësaj shkolle.
“Dëshirojmë që drejtoresha Asprovska të largohet. E kanë keqkuptuar këtë protestë, sepse kjo protestë nuk është për profesorin Arben, por është për të drejtat tona”- theksoi një nxënëse e kësaj shkolle.
Bojkoti i sotëm i nxënësve u përkrah edhe nga Këshilli i Prindërve, ku edhe ata e theksuan nevojën për emërimin e një drejtori të ri shqiptar.
Protestat e nxënësve do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, deri në plotësimin e kërkesave të parashtruara.
REXHEP QAMILI
