Maqedoni

PDSh: të tërhiqet stema nga rendi i ditës

09.12.2014 18:01

PDSh-ja kërkon nga Qeveria VMRO-BDI që urgjentisht ta tërheq nga procedura propozimin për stemën e re shtetërore...

PDSh-ja kërkon nga Qeveria VMRO-BDI që urgjentisht ta tërheq nga procedura propozimin për stemën e re shtetërore dhe të hapet dialog i mirëfilltë për gjetjen e një zgjidhjeje, e cila do të përfshijë specifikat dhe kërkesat e dy popujve më të mëdhenj në vend.
 
“Me këtë stemë jo që nuk bëhet de-etnizimi i simboleve shtetërore, por ndodh e kundërta. Propozohet një simbol partiak dhe tërësisht njëetnik për simbol shtetëror, siç është stema. Imponimi i një simboli të tillë sigurisht që nuk kontribuon pozitivisht në një shtet ku përbërja etnike dhe realiteti janë ndryshe nga ajo që paraqet stema e propozuar nga ana e koalicionit VMRO-BDI”- deklaroi deputeti i PDSH-së, Bekim Fazliu.
 
Deputeti Fazliu, përsëriti qëndrimin e PDSh-së rreth simboleve shtetërore të paraqitura në programin e kësaj partie, e njohur si “Marrëveshja e re”.
 
“Duke pasur parasysh rëndësinë e simboleve shtetërore, Partia Demokratike Shqiptare e ka si përcaktim programor de-etnizimin e simboleve shtetërore, siç janë stema, himni dhe flamuri”- tha deputeti i PDSH-së, Bekim Fazliu.
 
Ndërkaq, deputetët e BDI-së, individualisht ende nuk kanë marrë vendim nëse do të votojnë “pro” ose “kundër” propozimit për stemën e re edhe pse qëndrimi partiak në parim është “pro”.
Stema e propozuar me fushë të verdhë dhe luan të kuq, mori pëlqimin në mbledhjen e qeverisë ditën e premte.
 
Sipas qeverisë, stema e propozuar do të jetë simbol unifikues për të gjithë qytetarët, madje edhe për shqiptarët, pasi, sipas saj, simboli i luanit është përdorur edhe nga shumë familje feudale shqiptare.
 
Megjithatë, në opinion propozimi është perceptuar si simbol partiak vetëm i VMRO-DPMNE-së.
 
SHPËTIM NUREDINI