Maqedoni
Punëtori “Bashkëpunimi i Avokatit të Popullit me mediat”
09.12.2014 18:29
Maqedonisë, si shtet multietnik dhe multikulturor, më shumë se kurrë i nevojiten institucione të pangarkuara në aspekt politik apo nacional, duke mos anashkaluar edhe mediat në këtë aspekt...

Kjo është porosia e avokatit të Popullit, Ixhet Memetit, gjatë një punëtorie të organizuar nga institucioni që drejton ai, në temën “Bashkëpunimi i Avokatit të Popullit me mediat”, në prag të “Ditës ndërkombëtare të të drejtave dhe lirive të njeriut”.
Vetëm me mënjanimin e këtyre ngarkesave mund të ndihmojmë në avancimin e raporteve demokratike në shoqërinë tonë, thotë ai.
“Gjatë funksionimit të AP-së, në RM-së kemi pasur bashkëpunim në nivel me mediat. Ka pasur raste që përmes mediave kemi arritur që të parandalojmë shkeljet e të drejtave dhe lirive të njeriut, si dhe kemi arritur që t’i mbrojmë në mënyrë më efektive, por kemi pasur edhe raste kur paraqitjet publike apo komunikimi i mirëfilltë nga ana jonë me mediat, të jetë si pengesë e realizimit të të drejtave, pasi që ka ndodhur që institucioni, i cili ka qenë i kritikuar nga AP-ja, të mbyllë dyert, pra të mos komunikojë me të”- deklaroi avokat i Popullit, Ixhet Memeti.
Institucioni Avokati i Popullit dhe mediat e ndajnë të njëjtin qëllim dhe ajo është mbrojtja e të drejtave të njeriut, paraqitja e përparësive dhe mangësive gjatë aktiviteteve themelore në një shoqëri demokratike, thotë përfaqësuesi i Ambasadës së BE-se në Shkup, Robert Lidel.
“Mendoj se AP-ja dhe mediat duhet të bashkëpunojnë jo vetëm pse ndodhen në një shportë të njëjtë, pasi të gjithë ju synoni t’i mbroni të drejtat dhe liritë e njeriut, kjo gjithashtu nënkupton liri dhe paanshmëri sikurse te AP-ja ashtu edhe tek mediat”- tha përfaqësuesi i Ambasadës së BE-se në Shkup, Robert Lidel.
Bashkëpunimi i mirë i Avokatit të Popullit me institucionet dhe sidomos me mediat, mund të jetë edhe çelësi i suksesit në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut.
Për këtë, thotë Memeti, është më se i nevojshëm një komunikim i mirë me mediat, ndërsa në këtë kontest ai vë në theks edhe përhapjen korrekte të informacioneve nga ana e mediave.
NAIM RAMADANI
