Botë
Tiranë, Merkel takon kryeministrat e Ballkanit Perëndimor
14.09.2021 17:38
Ballkani i hapur merr mbështetjen e kancelares gjermane, Angela Merkel...
Kancelarja gjatë takimit të kryeministrave të shteteve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë tha se bashkëpunimi i tillë do ta ndihmojë procesin e Berlinit duke ftuar edhe vendet tjera të Ballkanit Perëndimor t’i bashkëngjiten bashkëpunimit rajonal.
Merkel në mbështetje të “Ballkanit të hapur”
“Shumëçka ka ndryshuar në bashkëqenësinë e shteteve në Ballkanin Perëndimor. Bashkëpunimi në shumë dimensione është konsoliduar në mënyrë të vazhdueshme. Unë përshëndes edhe projektin e tregut të përbashkët rajonal, me katër liritë siç i quajmë. Jo të gjitha vendet bashkëpunojnë njëlloj, por sa më shpejt t’i bashkohen aq më mirë do të ecë Procesi i Berlinit. Edhe një herë e theksoj se Procesi i Berlinit nuk e zëvendëson procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.”,- tha kancelarja gjermane, Angela Merkel.
Rama: “Ballkani i hapur”, nismë e procesit të Berlinit
Ndërkohë kryeministri, Edi Rama, ka theksuar se “Open Ballkan” është mjeti për të implementuar Procesin e Berlinit.
“Procesi i Berlinit ka nevojë për kohën e vet, mekanizmat për t’u vënë në lëvizje në funksion të investimeve janë të avashtë, por edhe “Open Balkan” që sot është një nismë e tre vendeve është rezultat i këtij procesi se ky na ka dhënë mundësinë të kuptojmë se nga bashkëpunimi mund të ndërtojmë të ardhmen e përbashkët dhe konfliktet e krijuara prej vitesh në atmosferën e krijuar nga procesi i Berlinit ka më shumë mundësi zgjidhje.”,- tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e shfrytëzoi konferencën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama për të shprehur keqardhje për vendimin për të mos çelur negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Merkel theksoi se të dy shtetet i kanë plotësuar kushtet, por ishte Bullgaria ajo që me veton e saj pengoi hapjen e negociatave. Në tiranë ndodhen edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran ZAev dhe ai i Kosovës Albin Kurti. Një ditë më parë Merkel ishte në Beograd, ku u takua me presidentin serb Aleksandër Vuçiç. Kjo është vizita e saj e fundit në Ballkan, ndërkohë që pas disa ditësh dorëzon detyrën si kancelare.
MERAL ISMAILI
