Lufta kundër Covid-19, mision shëndetësor prej 50 mld eurosh
400 milionë certifikata Covid janë shpërndarë....

400 milionë certifikata Covid janë shpërndarë aktualisht në të gjithë Europën. BE ka vaksinuar mbi 79% të popullsisë dhe është lidere botërore në këtë proces.
Ka ndarë gjithashtu më shumë se gjysmën e vaksinave, pra mbi 700 milionë doza me pjesën tjetër të botës dhe është gati të vazhdojë edhe më tej. Por për të shmangur pandemitë e tjera Presidentja e Komisionit Europian propozon një investim prej 50 miliardë eurosh në një mision shëndetësor deri në vitin 2027.
“Një mision të ri të përgatitjes së shëndetit që duhet të mbështetet nga një investim i ekipit Europian prej 50 miliardë eurosh deri në vitin 2027 për të siguruar që asnjë virus të mos transformojë një epidemi lokale në një pandemi botërore.”,- tha presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen.
Von Der Leyen: Na duhet një Bashkim Europian mbrojtës
Gjithashtu, ajo theksoi edhe nevojën e një sistemi të mbrojtjes europiane për të cilën njoftoi se po punohet dhe do të jetë gati deri në fund të vitit.
“Ajo që na nevojitet është një Bashkim Evropian i mbrojtjes. Ajo që na ka mbajtur deri tani nuk është mungesa e kapaciteteve, por mungesa e vullnetit politik. Unioni po punon në një deklaratë të përbashkët BE-NATO deri në fund të vitit.”,- theksoi presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen.
19 vende, në nivelet parapandemike brenda vitit
Von der Leyen, thotë ndërkohë se 19 vende europiane do të kthehen në nivelet e para pandemisë brenda vitit, kurse pjesa tjetër brenda 2022. (Gazmend Kurtishi, TVM2)
