Tragjedia në Tetovë, Zaev: Jo dorëheqje sepse dikush e kërkon

15.09.2021 17:07

Dorëheqjet e funksionarëve të pushtetit pas tragjedisë së Tetovës.....

Dorëheqjet e funksionarëve të pushtetit pas tragjedisë së Tetovës, s’do vijnë pasi këtë e kërkon opozita, por do të bazohet në rezultatet e forenzikës, ka deklaruar kryeministri, Zoran Zaev. Sipas tij, gjithsecili është i zëvendësueshëm por s’duhet dhënë dorëheqjeje vetëm se dikush e kërkon këtë.

“Të gjithë do të duhet të mësojmë nga lëshimet e sistemit. Tragjeditë do të duhet t’i pranojmë si tragjedi me paragjykime objektive dhe përgjegjësi. Askush nuk është i lidhur për asnjë funksion, apo e ka trashëguar nga i ati. Gjithsecili është i zëvendësueshëm, por njëkohësisht nuk guxojmë të vendosemi në mënyrë joadekuate për shkak se dikush për shkak të arsyeve të fshehta politike kërkon diçka.”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.

Mexhiti: Dorëheqjet duhet konstatuar

Por, Izet Mexhiti nga BDI konsideron se kryeministri do të duhej që  dorëheqjet t’i konstatonte menjëherë.

“Si temë do ta trajtojmë kur të vjen në parlament, aty do ta themi fjalën kryesore. Për momentin vetëm në aspekt moral është mirë që kanë dhënë dorëheqje pa marrë parasysh d.m.th. procedurat që duhet të shkojnë deri në fund, duhet të shihet a ka fajtor dhe kush është fajtor në atë drejtim. Mendoj se nuk ka dilema, ata kanë dhënë dorëheqje dhe duhet të pranohen ato dorëheqje.”,- u shpreh deputeti i BDI-së, Izet Mexhiti.

VMRO–DPMNE: Këmbëngul në dorëheqjen e Filipçes

Ndërkohë opozita konsideron se Zaev me mosmiratimin e dorëheqjeve po fsheh krimin dhe paaftësinë e ministrave të tij. Ata këmbëngulin në kërkesën e tyre për votimin e dorëheqjes së Filipçes në kuvend.

“Zoran Zaev refuzon të dërgojë në kuvend dorëheqjen e Venko Filipçes ministër i shëndetësisë. Ideja është që kjo dorëheqje asnjëherë të mos realizohet. Kuvendi punon deri të premten e ardhshme, pasi që pas kësaj nis fushata për zgjedhjet lokale dhe kanë për qëllim kjo periudhë të kalohet dhe dorëheqja të mos dorëzohet në kuvend. Qëllimi  është të mbrohet paaftësia dhe krimit që kushtoi jetë njerëzish.”,- theksoi Aleksandar Nikollovski nga VMRO–DPMNE.

Pushteti fton VMRO–në të lë obstruksionet

Partitë në pushtet kanë ftuar VMRO–në që të heq dorë nga bllokimi i kuvendit në kurriz të tragjedisë në Tetovë.

“Obstrukcione, destrukcione atë që kanë bërë në të kaluarën dhe ajo që ndodhi dje nuk i sjell mirë askujt, posaçërisht atyre dhe veprimit të tyre. Unë nuk e di se çfarë do të bënim periudhën që vijon por e di  se për gjithçka që do bëjnë, do të marrin përgjigjen adekuate.”,- u shpreh koordinatori i LSDM-së, Jovan Mitrevski.

“Bllokimi i kuvendit nuk është opsion i duhur, andaj të gjitha manovrimet që po tentohen të bëhen nuk i shërbejnë për nder asnjë partie politike veçanërisht partive politike opozitare për përfitime të ulëta të pikëve ditore politike.”,- theksoi koordinatori i BDI-së, Arbër Ademi.

Në kuvend nuk kaloi propozim vendimi i VMRO–DPMNE-së për shkarkimin e Filipçes, pasi që kryeparlamentari, Talat Xhaferi, tha se nuk është në përputhje me ligjet dhe bie ndesh me rregulloren. (Meral Ismaili, TVM2)