Maqedoni

Ndryshimi i Kodit Zgjedhor, në kuvend, Mitrevski: Inkorporojmë rekomandimet e OSBE-së

15.09.2021 17:24

Partitë politike, me unanimitet, futën në procedure parlamentare ndryshimet në Kodin Zgjedhor...

Me ndryshimet janë përfshirë të gjitha rekomandimet e OSBE ODIHR-it, të cilat sipas propozuesve mundësojnë efikasitet më të madh të organeve zgjedhore; sqarim, precizim dhe transparencë më e madh e gjithë procesit.
 
Risitë më të mëdha janë mënyra e re e identifikimit të votuesve dhe zgjedhja e kandidatëve për këshilltarë komunal përmes listave të hapura-prefenciale të kandidatëve.  
 
“Bëhet fjalë për ndryshime që janë rekomandime të OSBE-ODIHR-së, s ai takon transparencës së procesit zgjedhor, detyrimet e institucioneve shtetërore që të paraqesin automjetet në Komisionin Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit, në pjesën që të drejtë vote do të kenë edhe qytetarët që kanë letërnjoftim ose pasaportë me afat të kaluar dhe çdo gjë që është rekomandim i OSBE-ODIHR-it.”,- tha koordinatori i GP të LSDM-së, Jovan Mitrevski.
 
Nikolloski: Kjo çon drejt zgjedhjeve të besueshme
 
Me miratimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor dhe aplikimin e terminaleve për identifikimin e votuesve përmes shenjave të gishtit, opozita maqedonase deklaroi se askush s’do të mund të kontestojë zgjedhjet dhe rezultatin zgjedhor.
 
“Me vetë faktin që institucioni më relevant për monitorim të zgjedhjeve vendosi të ketë një numër masiv të vëzhguesve, plus rekomandime të miratuara në Kodin Zgjedhor, dhe fingerprint të implementuar, kjo do të duhet të çojë drejt zgjedhjeve të besueshme të cilat askush s’do t’i kontestojë.”,- tha Aleksandar Nikollovski nga VMRO-DPMNE.
 
Trajanov: Nuk garantojnë garë të barabartë
 
Mirëpo partitë më të vogla konsiderojnë se edhe me ndryshimet e reja në Kodin Zgjedhor nuk garantohet garë e barabartë ndërsa financimi i partive nga buxheti i rëndon taksapaguesit.
 
“Nga nëntë minuta prezantim në një orë program, tetë janë për partitë e mëdha dhe një minutë për të gjitha partitë e tjera. Sipas kësaj OSBE dhe ODIHR kanë rëndë dakord që partitë gjatë fushatës zgjedhore absolutisht të mos kenë mundësi të barabarta për prezantimin e programeve te veta.”,- theksoi Pavle Trajanov nga Lidhja Demokratike.
 
Ndryshimi i Kodit Zgjedhor për të inkorporuar rekomandimet e OSBE ODIHR-it duhej të miratohet më së voni gjashtë muaj para zgjedhjeve. Sipas opozitës maqedonase vonesa ka ndodhur për shkak të obstruksioneve të partive të vogla që janë në kuadër të koalicionit të kryesuar nga LSDM.
 
SHPËTIM NUREDINI