Maqedoni
Regjistrimi i popullsisë, Mariçiq: Operacioni po ecën mirë
15.09.2021 17:41
Regjistrimi i Popullsisë po ecën mirë dhe sipas të dhënave të fundit nga Enti për Statistika...

Regjistrimi i Popullsisë po ecën mirë dhe sipas të dhënave të fundit nga Enti për Statistika deri të martën gjithsej janë regjistruar 618.120 persona thotë ministri i drejtësisë Bojan Mariqiq.
Sipas tij, problemeve teknike institucionet i kanë tejkaluar me sukses dhe po zbatojnë këtë operacion më të rëndësishëm statistikor.
“Për herë të parë, po zbatojmë regjistrim me këtë metodologji, me teknologji bashkëkohore, pa letra dhe tableta, në të cilin 5000 regjistrues fusin të dhëna në të njëjtën kohë. Është normale kur një aplikim i tillë krijohet për herë të parë të ketë probleme teknike. Ne arritëm që krahas të gjitha problemeve teknike, ndërhyrjeve të hakerëve, me ndihmën e ekipit të ESHS-së, kompanitë që zbatojnë aplikacionin, MPB-në dhe Telekomi së bashku të zgjidhin të gjitha problemet.”,- deklaroi ministri i drejtësisë, Bojan Mariçiq.
Selami: Kalkulimet me numra etnikë, manipulim
Ndërkohë kalkulimin me numra në baza etnike zëvendësdrejtori i Entit Shtetërorë të Statistikave, Ilmi Selami, e quan manipulim dhe dashakeq për procesin e regjistrimit.
“Gjithçka çfarë del si lajm gjatë kësaj periudhe derisa zbatohet procesi i regjistrimit dhe që nuk ka për burim Entin Shtetëror të Statistikave lirisht mund ta llogaritni manipulim mediatik, si manipulim për qëllim ditor, si manipulim për qëllime politike aq më tepër që jemi në prag të fushatës zgjedhore dhe nënkuptohet pse bëhet kjo.”,- tha zëvendësdrejtori i Entit të Statistikave, Ilmi Selami.
Regjistrimi ende po vijon thotë Selami ndërsa pasi procesi të përfundojë do të duhen edhe 6 muaj për përpunimin e të dhënave deri në shpalljen finale të tyre.
NAIM RAMADANI
