Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2021, Shehu: Listat po verifikohen, ka pak vonesa
15.09.2021 18:15
Pasi kanë dorëzuar listat me emrat e kandidatëve për kryetar të komunave dhe listat e këshilltarëve...

Pasi kanë dorëzuar listat me emrat e kandidatëve për kryetar të komunave dhe listat e këshilltarëve, partitë janë në pritje të verifikimit të të njëjtave.
Komisioni Shtetëror Zgjedhor thotë se verifikimi është në rrjedhë e sipër në Komisionet Komunale Zgjedhore. Sipas nënkryetares së KShZ-së, Ditmire Shehu, po vërehen disa vonesa për shkak të marrjes së vërtetimeve nga ana e MPB-së.
“Kësaj radhe në bazë të Kodit Zgjedhor vërtetimin e kandidaturave e bëjnë Komisionet Komunale Zgjedhore atje ku janë dorëzuar edhe listat, dhe në çdo moment po presim të fillojnë KKZH të bëjnë vërtetimin e kandidaturave ashtu siç i marrin të dhënat prej vërtetimeve të gjykatave, pra shihet një vonesë dhe kjo vonesë është për shkak se na vonohen vërtetimet të cilat dorëzohen nga ana e gjykatës.”,- tha nënkryetarja e KShZ-së, Ditmire Shehu.
Ajo përkujton partitë edhe në afatin e ankesave për ndonjë vërejtje ose nëse ndonjë nga kandidaturat refuzohet.
“Nëse ndonjë parashtrues i listës ka vërejtje KKZH, kanë të drejtë të dorëzojnë kërkesë për përmirësim të njëjtave dhe çdo dorëzues ka afat prej 48 orëve që t’i përmirëson të njëjtat dhe pastaj KKZH do të vendos se a i plotësojnë kushtet në bazë të Kodit Zgjedhor për t’i vërtetuar kandidaturat apo jo.”,- u shpreh nënkryetarja e KShZ-së, Ditmire Shehu.
Nga të dhënat e publikuara në ueb faqen zyrtare të KShZ-së shihet se shumica e kandidaturave janë në rregull dhe janë duke u verifikuar.
FITIM KRYEZIU
