Botë

Plas lufta për pushtet, përleshje mes talebanëve në pallatin presidencial

15.09.2021 20:16

Vetëm pak ditë nga krijimi i qeverisë së re të Afganistanit, ka pasur përplasje të forta mes liderëve talebanë...

BBC thotë se mbështetës të dy fraksioneve rivale janë përleshur me njëri-tjetrin në pallatin presidencial në Kabul. Sherri ka nisur prej një debati se cili prej tyre ishte ai që siguroi fitoren më të madhe ndaj SHBA-së dhe si duhet të ndahej pushteti në kabinetin e ri qeveritar.

Përplasjet e fundit dolën në pah pasi bashkëthemeluesi i grupit, Mullah Abdul Ghani Baradar, u zhduk për disa ditë. Pas kësaj, ai ka pasur një përplasje verbale me Khalil ur-Rahman Haqqani – ministër për refugjatët dhe figurë e rëndësishme brenda grupit Haqqani – e më tej, mbështetësit e tyre janë rrahur me njëri-tjetrin. Talebanët i hodhën poshtë pretendimet e tilla.

Grupi militant e mori kontrollin e vendit muajin e kaluar e që prej atëherë, e ka shpallur Afganistanin “emirat islamik”. Ekzekutivi i tyre i ri përbëhet vetëm nga meshkuj kryesisht, figura të njohura mes talebanëve disa prej të cilëve kanë ndërmarrë dhe sulme kundër SHBA-së gjatë dy dekadave të pushtimit amerikan atje.