SpaceX nis raketën e parë me ekuipazh të përbërë vetëm nga civilë

16.09.2021 11:02

Miliarderi më i fundit ndër entuziastët e hapësirës u përgatit për nisjen të mërkurën së bashku me tre...

Miliarderi më i fundit ndër entuziastët e hapësirës u përgatit për nisjen të mërkurën së bashku me tre qytetarë të tjerë privatë në bordin e një anije raketë të kompanisë SpaceX, duke u bërë kështu ekuipazhi i parë i përbërë vetëm nga civilë, i lëshuar në orbitën e Tokës.
 
Kuarteti i udhëtarëve amatorë në hapësirë, i udhëhequr nga Jared Isaacman, amerikani që është themeluesi dhe shefi ekzekutiv i firmës së tregtisë elektronike Shift4 Payments, u nisën nga Qendra Hapësinore Kennedy në Kepin Canaveral, Florida.
 
Fluturimi, pa astronautë profesionistë që shoqërojnë klientët që paguajnë kompaninë SpaceX, pritet të zgjasë rreth tre ditë nga ngritja deri në uljen në oqeanin Atlantik.
 
Kjo shënon fluturimin inaugurues të biznesit të ri të turizmit orbital të pronarit të SpaceX, Elon Musk, dhe një hap më përpara konkurrentëve, duke ofruar gjithashtu udhëtime me anije-raketa për klientët e gatshëm të paguajnë një pasuri të vogël për fluturimin në hapësirë.
 
Misioni, i quajtur Inspiration4, u ideua nga Isaacman kryesisht për të rritur ndërgjegjësimin dhe mbështetjen për një nga kauzat e tij të preferuara, Spitalin Kërkimor të Fëmijëve St. Jude, një qendër kryesore e kancerit të fëmijëve në Memphis, Tennessee.