Maqedoni
Rashkovski në liri, MPB: Ka leje nga gjykata për shkaqe shëndetësore
16.09.2021 14:25
Edhe një tjetër i dënuar me arrest shtëpiak, është fotografuar teksa ecën lirshëm në lagjen Aerodrom në Shkup....

Edhe një tjetër i dënuar me arrest shtëpiak, është fotografuar teksa ecën lirshëm në lagjen Aerodrom në Shkup. Nga MPB konfirmojnë se fotografia në të cilën shihet ish sekretari gjeneral i Qeverisë, Dragi Rashkovski, është autentike. Konfirmojnë se ai ka leje nga gjykata për të dalë nga shtëpia për nevoja shëndetësore. Shtojnë se me përjashtim të disa orareve të lejuara për lëvizje, Rashkovski respekton masën e arrestit shtëpiak.
“Dragi Rashkovski ka leje nga Gjykata Penale Themelore Shkupi 1. Për shkak të nevojave shëndetësore atij i lejohet të largohet nga shtëpia për të shkuar në kohën e caktuar për të marrë kujdesin shëndetësor. Leja është për ditë të caktuara. Në pjesën tjetër të ditës (përveç periudhës prej disa orësh, e cila lejohet nga gjykata) Dragi Rashkovski respekton masën. Konkretisht, sot u bënë dy kontrolle nga zyrtarët policorë të SPB - Shkup dhe Dragi Rashkovski respekton masën që i është shqiptuar.”,- u tha nga MPB.
Zaev: E lejon gjykata për nevoja shëndetësore
Edhe kryeministri Zaev pohon se Rashkovski ka leje për lëvizje për arsye shëndetësore.
“Nuk e di pse është parë të lëvizë lirshëm, por e di që ka një zgjidhje për nevojat shëndetësore, saktësisht sa herë në javë dhe në cilën ditë dhe kështu me radhë.”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.
Ish sekretari i Qeverisë, Rashkovski po ndiqet penalisht nga Prokuroria për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin për blerjen e një softueri për ndëshkimin automatik të shkeljeve të trafikut të cilin askush nuk ia kishte kërkuar dhe askush nuk e ka përdorur.
SEDAT SELIMI
