Maqedoni

Dorëheqjet, Zaev: S’dorëhiqem që Mickovski të vijë në pushtet

16.09.2021 14:58

Kryeministri, Zoran Zaev, refuzon të dorëhiqet pasi kryetari i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela....

Kryeministri, Zoran Zaev, refuzon të dorëhiqet pasi kryetari i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela ka kërkuar largimin e tij dhe të  ministrin e shëndetësisë, Venko Filipçe. Kryeministri thotë se s’do ik nga pushteti për t’i krijuar komoditetin opozitës që të pozicionet në pushtet në kurriz të tragjedisë së Tetovës.
 
“Të japë dorëheqje që Mickovski të bëhet kryeministër? Nuk e mendoj këtë. Do të bëhen kryeministër dhe kryetari i Aleancës zëvendëskryeministër kur do ta meritojnë, kur do të kenë empati me popullin, kur do të jenë këtu të ndihmojnë, të japin ide, e jo kështu që ta shfrytëzojnë tragjedinë me dëshirën e shkretë për pushtet.”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
 
Mickovski: Dhjetëra vite burg për përgjegjësit
 
Kryetari i VMRO–DPMNE–së, Hristijan Mickovski, ishte në Nerasht të Tetovës për të shprehur ngushëllime në një nga familjet e viktimave të zjarrit në spitalin modular. Duke komentuar deklaratën  e kryeministrit, Mickovski kërkoi dhjetëra vite burg për përgjegjësit.
 
“Unë me të vërtetë përpos ndjenjës për të vjellë nuk kam gjë tjetër për të thënë. Përderisa  këta njerëz e udhëheqin shtetin nuk pres hetim transparent. Është mjaft e qartë, objekti nuk ka pasur leje për shfrytëzim. Këtu nevojitet përgjegjësi penale me dhjetëra vite burg.”,- tha kryetari i VMRO–DPMNE–së, Hristijan Mickovski.
 
Sela: Zaev të ikë bashkë me Filipçen
 
Kryetari i ASh-së, Ziadin Sela, në deklarimin e tij për TV 21, e cilësoi kreun e ekzekutivit si bashkëpërgjegjës pasi nuk ka konfirmuar dorëheqjet e njerëzve të parë në ministrinë e shëndetësisë.
 
“Në qoftë se dikush është përgjegjës s’ka nevojë të vendosë as kryeministri, se atë e vendosë kryeprokuroria. Ky me këtë vetëm bëhet bashkëfajtor, bashkëpërgjegjës dhe në qoftë se ky e paska aq të rëndësishëm Venko Filipçen po le të shkoj bashkë me të.”,- u shpreh kryetari i ASh-së, Ziadin Sela.
 
Grubi: Sela keqpërdor tragjedinë para zgjedhjeve
 
Sela njëkohësisht kërkoi dorëheqje edhe të zëvendëskryeministrit Artan Grubi, nga i cili ka vijuar kundërakuzë.
 
“Pse zotëri Sela apo zotëri Taravari nuk kanë qenë në Tetovë t’i vizitojnë familjet, ta vizitojnë vendin ku ka ndodhur tragjedia e madhe e paparë në hapësirat tona dhe pse nuk bënë asgjë që t’u ndihmojnë atyre familje, por përkundrazi e keqpërdorin tragjedinë për politika të imta parazgjedhore.”,- theksoi zëvendëskryeministri, Artan Grubi.
 
Dorëheqjet e ministrit të shëndetësisë, Venko Filipçe, dhe zëvendësit të tij, Ilir Hasani, janë deponuar në qeveri, por s’kanë marrë konfirmimin e kryeministrit që pret rezultatet forenzike nga hetimet, e më pas dorëheqjet do t’i dorëzohen kuvendit për miratim.
 
MERAL ISMAILI