Mustafa: Do t'i vazhdojmë bisedimet me Beogradin

10.12.2014 10:30

Kryeministri i sapozgjedhur i Kosovës, Isa Mustafa, për "Zërin e Amerikës" tha se qeveria e tij do të jetë e përkushtuar për zhvillimin ekonomik, forcimin e sundimit të ligjit por edhe vazhdimin e bisedimeve me Beogradin, luftën kundër krimit e korrupsionit dhe çdo forme të ekstremizmit.....

Në intervistë, kryeministri Mustafa tha se koalicioni me Partinë Demokratike ishte vendim i vështirë, por u bë i domosdoshëm për çuar në vend vullnetin e qytetarëve të shprehur në votë dhe për të shmangur zgjedhjet e reja.

Ai gjithashtu tha se do të vazhdojnë me bisedimet me Beogradin.

"Do të vazhdojmë me formatin e bisedimeve që është ndërtuar në Bruksel dhe në Kosovë. Do të mundohemi që të rrisim rolin e Kuvendit të Kosovës sa i përket transparencës së bisedimeve. Dhe po ashtu do të punojmë shumë në zbatimin e marrëveshjeve të cilat janë arritur në Bruksel. Ne jemi të interesuar që bisedimet të zhvillohen, jemi të interesuar që të relaksojmë maksimalisht raportet me Serbinë, me komunitetin serb brenda, sepse krijimi i marrëdhënieve të mira me komunitetin serb ndikon që këto raporte të ndërtohen mbi atë bazë edhe me Serbinë si shtet fqinj", ka deklaruar Mustafa.

Këtu, shton më tej, shohim një rol të veçantë jo vetëm të Brukselit, por një rol të veçantë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat gjithmonë e kanë përkrahur këtë proces dhe kanë dhënë kontributin e tyre, në mënyrë që, ky proces të zhvillohet shpejt dhe të jetë një proces që është në interes të të dyja palëve.