Botë
Radev dekreton qeverinë teknike, Janev mbetet kryeministër deri në zgjedhje
16.09.2021 15:13
Presidenti bullgar, Rumen Radev, dekretoi qeverinë e re të përkohshme që duhet të organizojë zgjedhjet e 14 nëntorit...

Presidenti bullgar, Rumen Radev, dekretoi qeverinë e re të përkohshme që duhet të organizojë zgjedhjet e 14 nëntorit. Kryeministër teknik i saj do të jetë sërish, Stefan Janev. Nuk ka ndryshime në kabinetin qeveritar përveç tre emrave të rinj.
“Fatkeqësisht, klasa politike nuk e pranoi modelin e qeverisë kujdestare dhe mesazhet e shoqërisë. Asambleja Kombëtare nuk mund të zgjedhë një qeveri të rregullt në këtë krizë. Për herë të parë në historinë bullgare, një qeveri teknike pason një tjetër.”,- tha presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev.
“Shpresoj se votuesit bullgarë do të mobilizohen dhe motivohen mjaftueshëm për të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme, në mënyrë që të kemi një konfigurim politik efektiv dhe konstruktiv në Parlamentin e ardhshëm. Do të vazhdoj të punoj me ndërgjegje dhe përgjegjësi në interes të vendit tonë.”,- u shpreh kryeministri teknik, Stefan Yanev.
Nuk priten ndryshime ndërkohë në qëndrimin rreth RMV-së. Kryeministri teknik Janev thotë se kabineti i përkohshëm qeveritar arriti ta mbrojë interesin nacional të Bullgarisë, posaçërisht qëndrimin bullgar ndaj Maqedonisë së Veriut. Ai shtoi se edhe Qeveria e ardhshme do të ketë një qëndrim të tillë. Sipas tij, Bullgaria ka demonstruar dialog dhe ka bërë gjithçka që është e nevojshme.
Zgjedhjet e reja po mbahen pas përpjekjeve të dështuara për të formuar një qeveri pas zgjedhjeve të prillit dhe korrikut. Më 14 nëntor mbahen edhe zgjedhjet presidenciale, ku presidenti Radev do të kandidojë për një mandat tjetër. Asambleja Kombëtare që u shpërnda të mërkurën, është parlamenti më jetëshkurtër në historinë e Bullgarisë.
NERMINI MULAKI FEJZULLAHU
