Maqedoni

Seanca e parë ndërqeveritare, Zaev: Na lidhin shumë interesa të ndërsjella

16.09.2021 16:07

Me nderimet më të larta shtetëror kryeministri, Zoran Zaev, priti kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti....

Me nderimet më të larta shtetëror kryeministri, Zoran Zaev, priti kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti. I shoqëruar nga anëtarët e Qeverisë, Kurti erdhi në Shkup për të realizuar seancën e parë ndërqeveritare më qeverinë Zaev, seancë që rezultoi me miratimin e 11 marrëveshjeve, memorandume dhe programe. Mes marrëveshjeve që janë nënshkruar janë: Marrëveshja për lidhjen e dy autostradave në pikën kufitare Bllacë, Marrëveshja për rrugën Prizren-Tetovë, Marrëveshja për pika të përbashkëta kufitare, Marrëveshja për projekt të përbashkët për skijim i cili do të lidh Brezovicën me Kodrën e Diellit si dhe marrëveshje të tjera për bashkëpunim ndërkufitar me përkrahje të fondeve IPA, bashkëpunim në fushën e energjetikës, në kulturë dhe inovacione.
 
“Na lidhin shumë interesa të ndërsjella, kështu edhe ekonomitë tona, të cilat sipas strukturës dhe të gjitha parimet e tjera janë të orientuara njëra ndaj tjetrës. Prandaj në seancën e parë të përbashkët në plan të parë vumë marrëveshjet dhe memorandumet për lidhje infrastrukturore të vendeve tona me qëllim që të lehtësojmë dhe avancojmë bashkëpunimin ekonomik dhe komunikimin.”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
 
Kurti: U nënshkruan 11 marrëveshje për bashkëpunim
 
“Krahas zhvillimeve të brendshme na duhet edhe bashkëpunim i mirë me vendet fqinje si dhe me Maqedoninë e Veriut, në këtë frymë u mbajt edhe kjo seancë e përbashkët, dhe u nënshkruan 11 marrëveshje për bashkëpunim nga të cilat do të kenë përfitim dy vendet dhe qytetarët tanë.”,- u shpreh kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
 
Për Maqedoninë e Veriut, Kosova është një nga pesë partnerët më të rëndësishëm tregtar. Këmbimi tregtar bëhet pa doganë, sipas Marrëveshjes së Ceftas dhe asaj për bashkëpunim ekonomik. Këmbimi tregtar mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës në 2020 ishte 305.7 milionë dollar në favor të Maqedonisë.
 
SHPËTIM NUREDINI