Botë
“Ballkani i hapur”, Rama: Nuk është nismë e Serbisë. Isha unë edhe në “Platformën e Tiranës”
16.09.2021 19:19
Në fjalimin e parë si kryeministër i Shqipërisë në mandatin e tretë, kryeministri, Edi Rama...

Në fjalimin e parë si kryeministër i Shqipërisë në mandatin e tretë, kryeministri, Edi Rama, nga foltorja e Kuvendit, ka vijuar të mbrojë nismën e Ballkanit të Hapur, duke u shprehur se nuk është as lojë e Serbisë dhe e asnjë shteti tjetër, por në të mirë të të gjithëve.
“Ballkani i hapur nuk është lojë e Serbisë. Nuk është devijim nga rruga e anëtarësimit të BE. Të gjitha këto janë përralla me gogol, në një luftë nga Facebook dhe kolltuku. Kosova dhe Shqipëria atë armik e kanë mundur realisht falë ShBA-së, kundër xhahilit të Beogradit si dhe falë UÇK.”,- tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
E si për të vërtetuar se sa të nevojshme janë këto nisma, Rama kujtoi platformën e Tiranës për Ballkanin, duke ia atribuar pikërisht atij, përdorimin e gjuhës dhe të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
“Nuk është e rastit pozicioni i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut kur deri dje një gjysmë satrapi ballkanik atje në Shkup i trajtonte shqiptarët si pakicë kombëtare, duke bërë sikur bashkëqeveriste me ta. Pa e çuar në mendje tu hapte rrugë as për të drejtën elementare të barazisë së gjuhës shqipe. Si gjuha e një populli pa të cilin ai shtet nuk rri dot në këmbë, sepse shqiptarët në Maqedoni janë popullsi shtet-formuese. Aty ishin edhe dje faktorët politikë shqiptarë në Maqedoni, por politika e jashtme e Shqipërisë e kishin mendjen te fushatat e tyre elektorale, jo te përparimi i të drejtave të bashkëkombëseve tanë në atë shtet. Ju kujtohet sa shumë u kritikua platforma e Tiranës, por edhe sa shumë ndikoi në ato procese.”,- tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Kryeministri i bëri këto deklarata gjatë votimit në kuvend të programit të qeverisjes së tij, ku e vuri theksin edhe në politikën e jashtme. Sipas tij, këto politika do të bëhen në shqip, pa ndërmjetësimin e të huajve.
LULJETA NDOKA
