6-të monarkitë arabe nga Gjiri do të formojnë polici të përbashkët
Gjashtë monarkitë arabe nga Gjiri vendosën që të formojnë polici të përbashkët dhe forca ushtarake-detare, kumtuan agjencitë botërore.....

Vendimi u mor në samitin përfundimtar të djeshëm të Këshillit për bashkëpunim në Gjirin, që u mbajt në kryeqytetin e Katarit, Doha.
Ministri i Punëve të Jashtme të Katarit, Halid bin Mohamed al Atija deklaroi se forcat policore do ta përmirësojnë bashkëpunimin në luftën kundër terrorizmit, transmetuan mediat amerikane.
"Kjo do të jetë diçka e ngjashme me Interpolin, por në kufijtë e vendeve nga Këshilli për bashkëpunim në Gjirin (KBGJ)", deklaroi ministri në konferencë për shtyp pas takimit.
Shtypi lokal informon se policia e përbashkët do të luftojë gjithashtu edhe kundër trafikimit me lëndë narkotike, pastrim parash dhe kiber krimin.
Shtabi i organit të ri të sigurimit do të jetë në Abu Dabi, kryeqyteti i Emirateve të Bashkuara Arabe.
Plani për krijimin e forcave të përbashkëta ushtarake-detare u përmend në deklaratën përfundimtare nga takimi, por pa kurrfarë detaje.
Në deklaratë, monarkitë nga Gjiri e shfaqën "mbështetjen e tyre të plotë për Egjiptin" dhe programin politik të presidentit Abdel Fatah al Sisi. Me këtë qëndrim vërehet ndryshim në pozitën e Katarit, shteti i cili një kohë të gjatë e ka mbështetur lëvizjen egjiptiane "Vëllazëria myslimane" dhe ish-presidentin islamik Mohamed Morsi, i cili vitin e kaluar me forcë u rrëzua nga armata e udhëhequr nga Al Sisi.
