Maqedoni

Zgjedhjet Lokale, nesër afati i fundit për vërtetimin e listave të partive

17.09.2021 11:17

Të shtunën skadon afati për vërtetimin e listave për kryetarë komunash dhe këshilltarë të dorëzuara nga partitë...

Të shtunën skadon afati për vërtetimin e listave për kryetarë komunash dhe këshilltarë të dorëzuara nga partitë, për zgjedhjet lokale të 17 tetorit. Komisionet Zgjedhore Komunale, duhet t’ia dorëzojnë listat e vërtetuara të kandidatëve Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve e KShZ do të duhet të përmbyllë listën e vetme të kandidatëve. Lista e kandidatit për kryetar komune dhe lista e kandidatëve për këshilltarë, të  dorëzuara nga i njëjti parashtrues, marrin numër rendor të njëjtë në të gjitha komunat dhe në Qytetin e Shkupit. Listat e kandidatëve të propozuara nga koalicionet, pa marrë parasysh numrin e partive që e përbëjnë koalicionin, do të kenë numër të njëjtë rendor. 

Radhitjen e kandidatëve në listën e kandidatëve, KShZ, e konfirmon me short, i cili duhet të mbahet më së voni deri më 23 shtator. KSHZ shpall listën e vetme të konfirmuar të kandidatëve më së voni 23 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve. Më pas partitë nënshkruajnë Kodeksin për Zgjedhje Korrekte dhe Demokratike, më së voni deri më 26 shtator.
 
Deri më 16 shtator në KSHZ duhej të dorëzohen të dhënat për personat të cilët janë në paraburgim ose në vuajtje të dënimit me burg. MPPS, deri te KShZ duhet të dorëzojë të dhëna për personat që janë paraqitur për votim në institucionet për kujdes jashtë familjar. Sipas ndryshimeve të fundit të Kodit Zgjedhor, më së voni deri më 25 shtator në mesnatë, të gjitha institucionet që disponojnë me automjete zyrtare, duhet të  dorëzojnë të dhënat te Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit, me qëllim që të mbikëqyret nëse të njëjtat do të keqpërdoren ose jo gjatë fushatës.
 
Risi e ndryshimeve të fundit në Kodin Zgjedhor është edhe mundësimi i votimit për ata qytetarë të cilëve u ka skaduar afati i letërnjoftimit  që nga data e shpalljes së zgjedhjeve e deri në datën e mbajtjes së tyre. Fushata zgjedhore për rrethin e parë të zgjedhjeve lokale, fillon më 27 shtator në mesnatë.
 
ZEKIRJA MEXHITI