Maqedoni

Stërzgjatet rikonstruimi, banorët bllokojnë rrugën Kumanovë-Shën Nikollë

17.09.2021 14:41

Kanë vazhduar protestat e banorëve të 15 fshatrave buzë lumit Pçinja në afërsi të Kumanovës...

Kanë vazhduar protestat e banorëve të 15 fshatrave buzë lumit Pçinja në afërsi të Kumanovës, që edhe sot për tre orë bllokuan rrugën alternative përskaj Urës “Iskra”, që lidh  rrugën rajonale Kumanovë-Shën Nikollë. Ata protestojnë për stërzgjatjen e punimeve të rikonstruimit.
 
“Askush nuk ka ndërmarrë asgjë. Vazhdojnë të qarkullojnë automjetet e rënda transportuese. Kryetari i Komunës na dha përkrahje herën e kaluar por vetëm me fjalë. Nëse nuk ndërmerret asgjë për të mërkurën paralajmërojmë sërish protestë, kurse të premten e ardhshme protestë 24 orëshe.”,- tha një banor i zonës.
 
“Kjo është rrugë me rëndësi për banorët e Maqedonisë Lindore. Të gjithë që udhëtojnë për Serbi kalojnë këtej. Po i shkatërrojmë automjetet tona nëpër këtë rrugë e për këtë duhet të padisim Shtetin.”,- u shpreh një banor i zonës.
 
“Gati dy muaj prej mbylljes së urës, nuk shohim ndonjë lëvizje pozitive. Kemi vetëm një kërkesë ose të rregullohet ura, ose rruga alternative.”,- theksoi një banor i zonës. 
 
Edhe pse protestuan edhe të hënën, ende askush nga kompetentët nuk i ka kontaktuar për të dëgjuar hallet dhe kërkesat e tyre. Ata paralajmërojnë se do të radikalozojnë protestën nëse autoritetet vazhdojnë ti injorojnë
 
FATLUM AQIFI