Maqedoni
Siguria e spitaleve modulare, Filipçe: Janë kontrolluar, ishin e vetmja mundësi
17.09.2021 14:56
Ministri në dorëheqje, Venko Filipçe, thotë se ka pasur kontrolle në spitalet modulare dhe se drejtorët...

Ministri në dorëheqje, Venko Filipçe, thotë se ka pasur kontrolle në spitalet modulare dhe se drejtorët kanë raportuar se gjithçka ka qenë në rregull. Ai thotë se në situatën kur pandemia mori përmasa të frikshme, e kapacitetet spitalore u mbushën, e vetmja zgjidhje për të siguruar shtretër për pacientët Covid ishin spitalet modulare në të cilat edhe aktualisht ka pacientë.
“I obliguam të gjithë drejtorët e spitaleve modulare të bëjnë kontrolle. Na informuan se janë kontrolluar të gjitha. Instalimi, rryma, kanalizimi. Është kontrolluar edhe nëse personeli i është përmbajtur protokolleve. Të gjithë vërtetuan se gjithçka ishte në rregull. Ky është model pa të cilin as ne dhe as një shtet tjetër nuk do të mund ta menaxhonte krizën. Nuk ka model tjetër për të arritur numër aq të madh të shtretërve për kohë aq të shkurtër. Ne kemi siguruar 700 krevate spitalore për më pak se dy muaj, në të kundërtën rrezikonim skenarin italian.”,- tha ministri i shëndetësisë në dorëheqje, Venko Filipçe.
Zjarri në spitalin modular, Filipçe: Unë nuk i iki përgjegjësisë
Filipçe thotë se nuk i ikën përgjegjësisë e këtë e tregoi edhe me dhënien e dorëheqjes morale.
“Unë nuk i iki përgjegjësisë. Jam i disponueshëm gjithmonë për gjithkënd, nuk ka përpjekje për të defokusuar gjërat. Por sistemi shëndetësor është kompleks dhe duhet të menaxhohet.”,- tha Filipçe.
Filipçe tha se është ndaluar puna rreth ndërtimit të spitaleve të tjera modulare, deri në përfundimin e hetimeve rreth shkaqeve të zjarrit në spitalin modular të Tetovës.
REJHANE BUSHI METAJ
